Zyrat e aplikimit për dokumente biometrike janë të hapura edhe ditët e shtuna, për të përballuar fluksin e aplikimeve që është shtuar me kthimin në atdhe të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj dhe përfaqësuesi i Kompanisë Koncesionare Olivier Laurence inspektuan sot në mëngjes zyrën e aplikimit në Njësinë nr 5 në Tiranë.
Doracaj njoftoi se të hapura do jenë jo vetëm zyrat e aplikimit, por edhe zyrat e shpërndarjes së dokumenteve biometrike pranë Policisë së Shtetit në çdo qark.
“Duke filluar nga kjo e shtunë deri në fund të muajit gusht zyrat e aplikimi do i shërbejnë qytetarëve që nga ora 08:00 deri sa të mbarojë edhe qytetari i fundit në radhë për të përballuar fluksin e qytetarëve për pasaporta dhe ID.
Të hapura nuk do të jenë vetë zyra e aplikimit por janë edhe zyrat e shpërndarjes së dokumenteve biometrike pranë Policisë së Shtetit në çdo qark për të ofruar shërbimin e dhe gjatë të shtunave. Do ju lutesha qytetarëve që për të shmangur radhët në kohë pandemie të aplikojnë online në e-Albania për orën dhe numrin që të mos rrinë në radhë”, tha Doracaj.