Ne, brezi i kohës së ish- kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore etj., vazhdojmë t’u japim fëmijëve të njëjtat këshilla që na dhanë prindërit tanë neve, ndërkohë që bota përreth nesh ka ndryshuar.
Marrja e një arsimimi të mirë dhe notave të mira nuk siguron më sukses tek ne! Është fatkeqësi kombëtare kur shikon shtëpi të boshatisura për shkak të emigracionit, pleq të vetmuar duke “sfiduar” moshën për të mbijetuar e zemërtharë për të dashurit e tyre, veçanërisht për ata të vegjlit, “bashkëmoshatarët” e tyre, se kot s’kanë thënë, “njeriut i jepet mundësia të jetë dy herë fëmijë”, një herë kur lind, dhe një herë “kur plaket”.
Tani as rrugëve para oborreve tona nuk shikon më fëmijë që dikur “vlonin” nga të folurat e tyre dhe që tingulli i zërit të kënaqte njësoj si cicërimat e zogjve! Dhe ajo që është më e keqja, është kur dëgjon të rinjtë duke thënë se e vetmja “zgjidhje” është largimi nga ky vend i “mallkuar”!
Kjo është vërtetë edhe shumë e rëndë!
Unë nuk kam qenë kurrë kundër lëvizjes së lirë (brenda dhe jashtë shtetit) dhe nuk jam as sot, por shqetësohem për kushtet dhe rrethanat, të cilat imponojnë njerëzit t’i sjellin shpinden vendit të tyre dhe të dashurve të shpirtit!
Njerëz, mallkoni politikëbërësit e të gjitha kohrave e jo vendin tuaj, vendi është i pafajshëm e i duhet qarë halli për gjendjen në të cilën ndodhet! Zoti i ruajtë shqiptarët kudo qofshin, veçanërisht emigrantët! /Publikuar në Facebook nga Qamil Xhurreta, ish- kryetar i Komunës Berdicë/