Këshilltari i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë një ish-agjent special i FBI-së. Steve Butler ka mbërritur në Tiranë dhe është takuar me ambasadoren Yuri Kim, të cilët kanë diskutuar për SPAK dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ish-agjenti special i FBI-së do të veprojë si këshilltar në institucionin e ri të drejtësisë, Byroja Kombëtare e Hetimit e cila bashkëpunon me SPAK dhe mbështetet nga SHBA.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri ish Agjentin Special Mbikëqyrës të FBI-së dhe këshilltarin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Steve Butler.
Ambasadorja Kim u takua me Steve për t’a mirëpritur atë në ekip dhe për të biseduar mbi mbështetjen tonë të vazhdueshme për punën themelore të SPAK në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet trajnimeve, ndërtimit të kapaciteteve, pajisjeve dhe ekspertizës këshilluese”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.