Mesfushori i Teutës, Albano Aleksi, ishte një nga “senatorët” e parë të skuadrës durrsake që rinovoi edhe për dy vite kontratën, paçka se ofertat në drejtim të tij kanë qenë të shumta. Lojtari që ka provuar të luajë edhe në qendër të mbrojtjes gjatë ndeshjeve të fundit në Ligën e Konferencës, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për situatën në ekip, veten, si dhe finalen e Superkupës ndaj Vllaznisë, që do të luhet më 28 gusht, ora 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Albano, keni rinovuar kontratën edhe për dy sezone me Teutën. Çfarë ju bindi që të vazhdoni me klubin durrsak?
Të them të drejtën, unë jam shumë i lumtur këtu, pasi drejtuesit m’i kanë plotësuar të gjitha kërkesat. Me mbështetjen e klubit ia kemi dalë të fitojmë të gjithë trofetë në këto dy vite. Unë i jam mirënjohës presidentit, sepse e vlerëson atë që po bëj. Jam i kënaqur me ambientin në klub, qytetin dhe gjithashtu shokët e ekipit.
Sezoni 2021-2022 nis me Superkupën. Jeni gati për finalen ndaj Vllaznisë?
Kemi kohën e nevojshme në dispozicion për ta përgatitur sa më mirë këtë ndeshje. Kam besim tek ekipi dhe të gjithë do të tregojmë se jemi profesionistë të vërtetë. Forma është shumë e mirë. Kemi një skuadër që luan me intensitet dhe nuk e humbet në asnjë moment përqendrimin. Po e vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje dhe do të tentojmë të marrim trofeun. Falë punës që po bëjmë, duke parë edhe kundërshtarin që kemi përballë, jam i bindur se do t’ia dalim.
Jeni të etur sërish për trofe?
Jemi në kohë për të fituar çdo trofe. Është një dëshirë për të dashur më shumë trofe për gjithsecilin. Nuk mendoj se është lakmi. Dëshira jonë është e madhe, pse mos ta fitojmë.
Në skuadër janë bërë disa ndryshime, me largime dhe afrime. Ka diçka që ju tremb para ndeshjes që do të luhet në “Elbasan Arena” më 28 gusht?
Jo, asgjë nuk më tremb. Unë pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal, sepse është shumë e rëndësishme që ta nisim mbarë sezonin. Nuk i druhem, sepse ne kemi ekipin dhe lojtarët me shumë eksperiencë, që dimë ta vlerësojmë çdo ndeshje njësoj.
Vllaznia vjen pas një sezoni të mirë, ku deri në fund ishte për titull me Teutën. Kush mendoni se do ta bëj diferencën në këtë takim?
Shiko, unë mendoj se të tilla ndeshje nuk kanë favoritë, por duke nisur nga gjendja që jemi, por edhe nga entuziazmi që ka pasur në ekip këtë periudhë, do të bëjmë maksimumin që të fitojmë ndaj Vllaznisë. Shanset janë të barabarta, por ne duhet të jemi të supermotivuar dhe të karikuar për të dhënë gjithçka. Besoj se kjo nuk do të na mungojë, pasi një përballje e tillë, dhe për më tepër finale, na karikon.