Vllaznia ende nuk e ka mbyllur merkaton, edhe pse trajneri Thomas Brdaric thekson se duhet t’u japin besim lojtarëve që kanë aktualisht në ekip. Gjithsesi drejtuesit po shohin për lojtarë.
Eshtë çështje kohe zyrtarizimi i një sulmuesi shtatlartë, që ka spikatur në Kategorinë e Parë me Besën e Kavajës, kurse në të shkuarën ka luajtur në Portugali në ligat e ulëta.
Bëhet fjalë për Kaina Nunes da Silva Amarante, brazilianin 24-vjeçar që sezonin e shkuar shënoi 7 gola me verdhezinjtë. Tani ai kërkon të tregojë vlerat e tij në Kategorinë Superiore.
Vllaznisë nga krahu tjetër i duhet edhe një tjetër qendërsulmues. Momentalisht në skuadër kanë vetëm kroatin Ante Aralica. Kaina do ishte një alternativë për trajnerin Thomas Brdaric, të cilit i pëlqen të ketë një “pykë” në sulm.