Nga Blerti DELIJA
Merr fund kalvari! Vllaznia shumë shpejt do të kalojë në duart e administrimit publik. KPP i ka dhënë të drejtë Bashkisë Shkodër në hapat e procesit të privatizimit, teksa i vetmi në garë ka mbetur Alban Xhaferi, sponsori aktual i Vllaznisë.
Pak ditë kanë mbetur nga starti i këtij sezoni dhe Vllaznia do të kërkojë menjëherë trofeun e parë, Superkupen ku do të ketë përballë Teuten e Edi Martinit. Më pas, një sezon i gjatë e i lodhshëm ku Vllaznia nuk do të konsiderohet më “Hirushe” por rival për trofe, që në ndeshjen e parë.
Natyrisht, Alban Xhaferi, si pronar- president i Vllaznisë, nuk do ta ketë të lehtë. Siç ka paralajmëruar, Bashkia Shkodër do të vijojë të mbështesë emblemen identifikuese të qytetit por ngarkesën kryesore do ta ketë Xhaferi. Provat e para i ka dhënë me Vllazninë e basketbollit por futbolli është tjetër gjë, sidomos në aspektin ekonomik dhe të ndjeshmërive.
Bashkia e Shkodrës heq nga vetja një barrë jo të lehtë që mbajti për 10 vite. Përveç buxhetit vjetor që duhej të garantonte për Vllazninë, Bashkia lirohet edhe nga borxhet e akumuluara në vite. Privatizimi i klubit është frymëmarrje edhe për financat e Bashkisë, rrjedhimisht edhe për taksapaguesit shkodranë.
Sot tifozët kanë arsye të jenë të kënaqur. Kanë kërkuar që klubi të administrohet nga privatë dhe kështu po ndodh. Nga ana tjetër, nëse Vllaznia nuk ecën siç e dëshirojnë, duhet të përballen me një bisnesmen dhe bisnes privat, i cili është i interesuar që të ketë një ekip fituee dhe kompetitiv. Sepse paratë tashmë dalin nga xhepat e tij dhe të bisneseve të tjera që zotëron.
Si në administrimin publik ashtu edhe privat, një gjë nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë. Vllaznia ka sot, nesër dhe gjithmonë nevojë për tifozët, mbështetjen e tyre në aspektin sportiv. Kam bindjen se nuk do ti mungojë siç nuk i ka munguar, as në momentet më të vështira të mbi 100 viteve jetë.