Para gjashtë ditësh takohem rastësisht me Kujtim Alija-n në lagje dhe sigurisht as që më bëhej ta pyesja për shëndetin, sepse gjëndja e tij fizike ishte tashmë e qartë. Por ai kishte cilësinë e leximit të mendimeve! Më thotë se nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe se jeton ditët që i kanë mbetur një nga një!
Kujtuam shumë emisione që kemi bërë bashkë në mediat televizive dhe u nis ashtu me atë ritmin e tij që nuk njihte ngadalsi dhe gjunjëzim! Iku nga kjo botë pikërisht kështu! Pa u gjunjëzuar! Pa u përkulur dhe duke luftuar dhe punuar deri në fund! Nuk mund dhe nuk dua të kujtoj biografinë e tij por ai mbetet “maja e një përmendoreje artistike dhe kulturore” të Shkodrës si asaj në fund të diktaturës dhe asaj të këtyre 30-të viteve në demokraci! Ishte realisht një “Mjeshtër i madh”!
Janë mbi 4 dekada të një pune të ethshme të Kujtimit dhe kolegëve të tij që në saj të aftësisë pikërisht fantastike të tij mbetën miq të gjithë me njëri tjetrin. Në fakt Kujtimi ishte mik me ne gazetarët dhe me shoqërinë shkodrane në fund të diktaturës dhe sikundër e thashë në tranzicion dhe deri më sot. Kujtimit i dedikohet suksesi i Festivalit të Fëmijëve që mbeti në Shkodër, që nuk e morën ose nuk e “shuan” fare, si kanë zakon sa në Tiranë dhe po ashtu njerzit e “papunësisë artistike në Shkodër”!
Kujtimit i dedikohet ringritja e Filarmonisë dhe Bandës së qytetit! Dy kulturave të mëdha të Shkodrës. Fitoret e mëdha të tyre dhe shfaqet e mëdha i dedikohen figurës së tij! Talentet e shumta të dala nga fest i Fëmijëve dhe nga Qerndra Kulturore e Fëmijëve, janë arritje ku Kujtimi është sigurisht mrekullia njerzore bashkë me miqtë e tij kolegë të shumtë! Si me fonde dhe si pa fonde, Shkodra nderohej kur futej në punë dhe realizonte atë Kujtim Alia! Si në “fukarrallek dhe bollek” muzika dhe arti i tillë në Shkodër nderohej kur e përfaqësonte Kujtim Alia! Miqtë e tij janë kudo, kudo në Shqipëri!
Fëmijët që ai ka nxjerrë si këngëtarë dhe instrumentistë janë tashmë yje të muzikës së vërtetë asaj muzike që nuk të bën të pasur, por që ruan dhe trashëgon moralin muzikor shkodoran dhe shqiptar, pa ndërhyrje idiote të deformimit butaforik dhe grotesk të sotëm. Kujtim Alia këtë pakt me djallin nuk e bëri kurrë! Nuk ja dorëzoi “shpirtin shejtanit muzikor dhe artistik të sotëm”. Mbeti në relativen shqiptare i varfër (si shumica e atyre që nuk shesin parimet dhe vlerat në muzikë) por nderoi Shkodrën dhe Shqipërinë.
Ai ngriti gjithmonë Shkodrën muzikore, kur shpesh njerëz të pushteteve të sëmura e hidhnin poshtë. Mësoi të mos ankohej kot, as të fliste kot. Ishte racional dhe me vullnetin e pa përsëritshëm, i palodhur kurrë punonte deri në pikën e fundit, për realizimin e një shfaqeje dhe një mbrëmje muzikore apo festivali. Kujtim Alia ishte talenti organizator dhe muzikor, dirigjenti më i jashtëzakonshëm i Shkodrës artistike të fundit të shekullit 20-të dhe dy dekadave të shekullit 21!
Në Shkodër, janë mësuar të lartësojnë vlera njerzore të muzikës dhe artit që kanë kohë që kanë lujtuar pjesën e tyre, duke nënvlersuar disi të sotmit. Por unë kam mendimin se Kujtim Alia është trashëgimtari më i mirë i Shkodrës kulturore dhe i papërsëritshmën në stilin e tij. Ai është në piedestalin e lartë të artit shkodran. Një njeri të tillë, vdekja e parakohshme i largon fizikun por kurrë veprën dhe punën e tij madhështore. Ai dhe pse nuk do të jetë më fizikisht, do të jetojë në rrugët, sallat dhe trashëgiminë e qytetit të madh kulturor. /Nga Besi BEKTESHI, gazeta “SOT”/