Në vijim të punës për goditjet e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet se dy shtetas posedonin dhe merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë, pas një punë të mirëfilltë disa javore, Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Vlorë dhe grupin e FNSH-së, zhvilluan operacionin antidrogë të koduar “Çuka”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
Romeo Laze, 41 vjeç dhe u shpallë në kërkim shtetasi B. Ç., 26 vjeç, banues të dy në Sarandë.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, janë grumbulluar informacione në rrugë operative, se të dy këta shtetas kishin përshtatur një ambient (garazh), në lagjen nr.4, Sarandë, për përpunimin e lëndës narkotike të llojit “Kokainë” dhe e shpërndanin atë, në sasi, në zona të ndryshme të qytetit të Sarandë dhe Ksamilit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e arrestimit të shtetasit Romeo Laze, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material, doza me lëndë të dyshuar kokainë.
Në vijim të kontrolleve të ushtruara në banesat, automjetet dhe motomjetet që këta dy shtetas përdornin, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 kilogram e 255 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, një pjesë e të cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje, 1 armë gjahu dhe muncionon luftarak, 3 peshore elektronike, një presë metalike, një shumë e konsiderueshme parash në lekë, euro dhe dollarë, të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 4 targa automjetesh dhe 1 pajisje DVR.
Gjithashtu u sekuestruan 3 automjetet dhe 3 motomjetet me të cilin këta shtetas qarkullonin për të shitur lëndën narkotike. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë.