Pas deklaratave të studiueses, Jonila Godole, e cila u shpreh se nëse PD-ja i kërkon një sugjerim për Sali Berishën, do t’i kërkojë që të distancohet prej tij, ka reaguar edhe kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi.
Në një intervistë për News24, drejtuesja e Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë në Partinë Demokratike solli rastin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, ndërsa për Berishën tha se do të flasë hapur nëse kjo gjë i kërkohet.
“Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund. Këto janë vendime që i marrin partitë vetë. Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur”, u shpreh Godole.
Në lidhje me këtë qëndrim, Bledi Kasmi u shpreh se asgjë nuk i lëkund nga besimi se Sali Berisha mbetet një burrë shteti.
“Asgje nuk na lekund nga besimi se Berisha ne funksionet e tij te te berit shtet dhe opozitar, ne te gjithe dimensionin e tij politik mbetet burre shteti, por fjala e lire eshte tjeter, pasqyrimi i saj eshte tjeter dhe qendrimet mbi to krejt tjeter. Mirenjohje te gjithe lexuesve per sygjerimet e tyre”, shkruan kryeredaktori i gazetës “RD”.