41 vjeçari Aleksandër apo Leksi Vulaj nga Mali i Zi i arrestuar në aksin Tamarë-Hani i Hotit, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ka dalë sot para gjykatës për masën e sigurisë.
Raportohet se Leksi Vulajt iu komunikua masa ‘arrest me burg’, ndërkohë që brenda 40 ditëve duhet të mbërrije kërkesa për ekstradimin e tij drejt SHBA-ve. Për të prokuria kërkoi arrest me burg derisa të shqyrtohet edhe kërkesa për ekstradimin e tij drejt SHBA. Vulaj nga Tuzi drejtonte shpërndarjen e drogës në Michigan. Dyshohte se mes të tjerash malazezi Vulaj organizoi dërgesën dhe dorëzimin e 10 kilogramëve kokainë në këtë distrikt që u zbulua nga agjentet e Deas, që sakaq po e përgjonin kur konfirmonte dërgesat në një rast edhe të lëndës opioid.
Ndonëse kishte një vendim gjyqësor nga drejtësia amerikane, ai qëndronte në Mal të Zi dhe lëvizte krejt lirshëm për të hyrë në Shqipëri. Nisur nga ky informacion i marrë nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e tij. Neutralizimi i tij u bë pas një pune hetimore që zgjati më shumë se një muaj.
Operacioni u zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, zyra e Interpolit në Policinë e Shtetit, Njësia Hetimore “Jointshield” që funksionon në bashkëpunim DSS dhe OSI në Ambasadën Amerikane dhe me zyrën e DEA-s Athinë.