Presidenti Ilir Meta publikon të dhënat e EUROSTAT, ku rezulton se mbi 60 mijë fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit (2011-2020).
Meta shprehet i shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria, ndërsa thekson se duhet bërë gjithçka për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.
Publikimi i Metës:
Sipas të dhënave të bëra publike nga EUROSTAT, mbi 60.000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit (2011-2020).
Mbi 82 përqind e tyre janë nën moshën 14 vjeç.
Thellësisht i shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria, veçanërisht për faktin se destinacioni i tyre final është i paqartë, e mbështes kërkesën e CRCA/ECPAT dhe inkurajoj ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me hapjen e Kuvendit të ri, për të hetuar gjendjen dhe vendodhjen e tyre, analizuar arsyet dhe përgjegjësit, si dhe rekomanduar masat efikase me qëllim ndërtimin e një strategjie konkrete shtetërore për ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.
Të bëjmë gjithçka për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, duke rikthyer besimin dhe garantuar mundësi dhe hapësira të reja, për t’u ndjerë plotësisht të realizuar, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe. 🇦🇱