Ish-kryeministri Sali Berisha tha se ai mund ta mundë Edi Ramën pa asnjë lloj diskutimi, ndonëse më herët theksoi se nuk është qëllimi i tij rikthimi në krye të PD.
I pyetur në emisionin “Çim Peka Live”: “A e mund dot më Sali Berisha Edi Ramën?”, ish-kryeministri u përgjigj: “A e mund dot Sali Berisha Edi Ramën?! Unë po çuditem si e pyet. Jashtë çdo lloj diskutimi. Po si fitoi kundër Berishës, Rama?! U përpoq gjithë kohën me fushata negative dhe dështoi, ai që drejtonte fushatat e Ramës ishte gjeniu i fushatave negative”.
Sali Berisha tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me Lulzim Bashën që prej ditës së enjte, kur u shpall vendimi për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së. I pyetur nëse është i gatshëm të takohet me kreun e PD-së, Berisha e ftoi Bashën që të vijë gjatë takimeve të tij me aktivistët dhe simpatizantët e PD-së.
“Për çfarë do takohemi?! Që kur ka dalë ky vendim, unë operoj me element të paktë. Jam njeriu që në SHBA të njoh 4 ish-presidentë, t’i takoj t’i pres, ose të më presin. Unë nuk kam kërkuar në mënyrë absolute asnjë ndihmë. E ftoj të vij në takime aktivistët, simptizantët e PD-së, jam i hapur. Kur të dojë, si të dojë. Berisha po bën gjithçka për të shpëtuar PD-në, që të mos zvogëlohet, përçahet”, tha Berisha.
Ish-kryeministri u shpreh kundër një ideje për debat publik me Bashën, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje partiake.