Vend dekretesh presidencial me president të shkarkuar spektakolar për t’u frymëzuar për romane por pa elita që dinë së paku të shkruajnë shqip; tragjedish që tejkalohen me sarkazma e meme; parcelash droge ku radarët kapin drejtuesit e automjeteve që tejkalojnë shpejtësinë; me opozitë në luftë mes veti kush është më i fortë për të marrë pushtetin e opozitarizmit; me moratoriume ku ndalohet vrasja e kafshëve dhe shpendëve por jo e njerëzve (sidomos e grave dhe e femrave); me oligarkë që paralajmërojnë oligarkët por që në fakt luftojnë për fronin e kryeoligarkut; me tendera në dobi të publikes, ku publiku pret fundin e muajit për të marrë pagën që të shlyejë borxhet e muajit që lë pas; pallate të reja drejtësie me ç’drejtësi që ndëshkon hajdutët e argjendarive dhe biçikletave në Astir; me import bananesh nëpër kontejnerë të mbushur me të bardhë ekuadoriane; me ligje të reja në duart e Maliqëve të vjetër; universitete me studentë e pedagogë që duhet të vaksinohen për të mbrojtur ata që nuk pranojnë të vaksinohen; me diplomaci të nivelit botëror por në hasëm me Kosovën; me shkëlqim të turizmit ku plehrat vdesin urie për içik riciklim në incineratorët e kokëve, demove, bllakove…; tunele të pesta të Belindës që zbehin trafikun e shtojnë aksidentet; me premtime që ndalojnë ndërtimet në Tiranë, por shtojnë kantieret e kullat; me nisje të mësimit në shkolla të reja për nxënësit që pajisen me libra të zhgarravitura; me një tërmet që zgjat sa një mandat dhe një mandat që është i gjithi tërmet; pensionistë që iu gëzuan një vit në pesë 50 mijë lekshit në fund të vitit dhe presin dhjetorin të dëgjojnë nga qeveria se edhe këtë vit do e marrin atë… shpërblimin; mësues që punësohen në bazë të meritokracisë së portalit kodet e të cilit i ka kryebashkiaku që tjetër emër ka në përdoro e tjetër emër e thërrasin njerëzit në rrugë (kur e shikojnë në Maliq njëherë në gjashtë muaj se jeton në Tiranë); ministra me karrierë akademike në fushën e lëpirjes; Akademi Shkencash të përbërë nga ish-anëtarë të byrosë me kryetar ish-kryetarin e Komitetit; borxh publik me afat shlyerje 300 vjeçar pa llogaritur këto aplikimet e fundit për borxh që do përdoret për shlyerje borxhi….
Por ç’të bësh, klasa intelektuale është injorante dhe hundëleshe, shoqëria civile ka kauza më të mëdha si të drejtat e LGBTQI, të rinjtë presin diplomimin për t’ja hipur kamionit për Angli, studentët në dilemën të vaksinohen apo të mos vaksinohen! Ku rrevolta është injorancë e injoranca pushtet.
Lamtumirë Angela Merkel, iku një ditë, ama kemi plot edhe dy të tjera për të folur për derën e makinës që nuk të hapej, xhaketën tënde blu dhe mesazhin e fortë që përcillte, e në fund, golin që i bëre Ramës duke ia lënë dorën ngrehur.
Natën e mirë dhe ti o Ilir Meta, o Plesident! /Publikuar në Facebook nga Fatjon GJINAJ, gazetar/