Nga Blerti DELIJA
Janë të shumtë ata që kërkojnë të gjejnë një logjikë statutore- juridike në vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD- së. Kjo, edhe pse siç e ka thënë vetë Basha, është një përjashtim i përkohshëm, derisa Berisha të sqarojë çeshtjen “non grata” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ata që janë përkrahës apo simpatizantë të Berishës, brenda e jashtë PD- së, artikulojnë me forcë kundërshtinë e tyre sepse “vendimi është marrë nga Basha, pa u konsultuar me strukturat e partisë”. Struktura janë Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe Kuvendi Kombëtar apo kongresi i PD- së.
Realisht, as njohësit më të mirë të Statutit e rregulloreve të ndryshme të PD- së, nuk e kanë të qartë se si duhej vepruar. Nuk ka një linjë logjike në këto dokumente sesi bëhet përjashtimi i një deputeti nga Grupi Parlamentar. Por të gjithë janë në një mendje se Basha nuk duhej ta merrte personalisht këtë vendim.
Këtu, futemi në një tjetër linjë veprimi, ku mund të zbulohet edhe logjika e vendimit të Lulzim Bashës. E ka pohuar edhe vetë se ka qenë ndër vendimet më të vështira të jetës së tij. Me shumë gjasa, kështu ka qenë vertetë. Për shumë arsye, duke nisur nga KOP- i i vitit 2005 e për të përfunduar tek zgjedhja si kryetar i PD- së në 2013- ën, pas dorëheqjes së Berishës.
Pesha e Berishës në PD, ka qenë e padiskutueshme. Sidomos në mandatin e parë të qeverisjes së majtë PS- LSI. Berisha ishte “de jure” e “de facto” lideri i opozitës në Kuvend. Mjafton të riktheheni tek seancat parlamentare të mandatit 2013- 2017 dhe do ta konstatoni lehtësisht. Replikat, akuzat e kundërakuzat me Ramën, duke përfituar edhe nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta që e kishte “pikë të dobët” doktorin, janë akoma të freskëta në mendjet tona. Dhe vetë Basha, gati në heshtje, e kishte pranuar këtë rol të paraardhësit në Kuvend.
“Thyerja” e parë, e padukshme në mes Bashës dhe Berishës, duket se ka qenë marrëveshja Rama- Basha e 17-18 majit 2017. Kjo, e zbuluar shumë vite më pas, pas datës 9 shtator 2021, kur Basha e Berisha u kthyen në antagonistë brenda PD- së. Ishte një marrëveshje që i parapriu një bashkëqeverisjeje të çuditshme opozitë- pozitë, e cila rezultoi e gjitha në favor të kryeministrit Rama. Madje, edhe vetë Basha, shpesh herë e ka artikuluar, duke u shprehur “kurrë më një marrëveshje me Ramën”.
Në politikë, jo gjithmonë mund të fitosh por as edhe jo gjithmonë të humbësh. Është krijuar ideja se marrëveshja Rama- Basha ishte imponuar nga ndërkombëtarët, sidomos nga amerikanët. Po flasim për marrëveshjen e 2017- ës. E në fakt, vizitat e takimet e emisarëve europianë e amerikanë, për të bindur PD- në të dalë nga “Çadra e Lirisë”, kanë qenë publike në sytë e të gjithëve. Pra, kjo humbje e PD- së në marrëveshje, ishte për shkak të presionit nga jashtë, duke iu imponuar Bashës të vendosë firmën, mbase pa qenë 100% i bindur.
Mandati i dytë i PS- së, nisi praktikisht, me fillimin e shkatërrimit të LSI- së. Ilir Meta u “degdis” në Presidencë e pas zgjedhjeve të 2017- ës ku LSI- ja mori 19 deputetë por nën prtishmëritë e kësaj partie, u largua Petrit Vasili dhe në krye u vendos Monika Kryemadhi. Afrimi Basha- Kryemmadhi, shihej si një mundësi, të paktën në kuptimin e numrave, që pas 4 viteve, të rrëzohej Rama dhe të krijohej një qeveri tjetër PD- LSI. Mbase mund të kishte ndodhur, nëse brenda 6 muajve të parë të 2019- ës, nuk do të merreshin 2 vendime, në gjykimin e shumë aktorëve politikë, edhe Berishës, të gabuara.
Dorëzimi i mandateve të deputetëve të PD- LSI dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 2019- ës, lanë fushën bosh për Edi Ramën. Vendet e lëna bosh, u plotësuan me deputetë të listave të PD- LSI, ndërsa ata, përgjatë më shumë se 2 viteve në Kuvend, ishin thjesht zgjatim i mazhorancës së drejtuar nga Rama, duke ulur e ngritur dorën sipas orientimit të tij. Kjo ishte panorama e krijuar në vend, që i parapriu zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Me këtë konfigurim, opozita PD- LSI, duke besuar tek lodhja e shqiptarëve pas dy mandateve të Ramës por edhe tek “magjia” e rotacionit pas 8 viteve në pushtet, pretendonte të rrëzonte qeverinë socialiste nga pushteti.
Si dhe sa u fituan zgjedhjet, e tregon zyrtarisht Kuvendi që hapi dyert me 10 shtator 2021, ku asnjëri nga krahët politikë nuk mungoi. Ajo që pason këtë fakt, mbetet si gjithmonë, në retorikën e zakonshme politike pas çdo palë zgjedhje në këtë vend. Një ditë para çeljes së legjislaturës së re, Basha bëri të ditur vendimin e tij për përjashtimin e Berishës. Ishte një vendim, pikënisja e të cilit ishte shumë muaj më herët.
Në mesin e prillit 2018, një politikan i lartë, me ndikim sidomos në Qarkun e Shkodrës, Tom Doshi, u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ishte aleat i PS- së dhe Ramës, e natyrshëm, opozita e vetë Basha, do ta shfrytëzonin këtë vendim të DASH. Kështu, Basha e PD nisën betejën morale me mazhorancë, duke i kërkuar largimin e Doshit nga Kuvendi. Synohej dobësimi i PS- së para zgjedhjeve të 2021- it, por njëkohësisht edhe “ndotja” e kësaj mazhorance qeverisëse. Pavarësisht presionit, Tom Doshi hyri në zgjedhjet e 25 prillit dhe nga vetëm 1 deputet i PSD- së në 2017- ën, ia doli të ngjitet në 3 ose vetëm një më pak se LSI- ja. Ndërkohë, largimi i tij nga Kuvendi, ishte kthyer në kauzë politike dhe besueshmërie për Bashën e PD- në.
Vetëm pak orë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Tom Doshi njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetit. Ai i fituar në 2017- ën por edhe ai i fituar me 25 prill. Praktikisht, ishte fitore e kauzës së opozitës, Bashës dhe PD- së.
Më pak se një muaj nga kjo ditë, Departamenti Amerikan i Shtetit publikon vendimin e sekretarit Blinken, i cili vendoste Berishën në të njëjtën listë me Doshin si “non grata”. Ishte një “shah” i fortë, duke folur me gjuhën e lojës së njohur, për Bashën e opozitën, veçanërisht PD- në. Nuk ka asnjë çudi se periudha 19 maj 2021 deri me 9 shtator 2021, të kenë qenë 100 ditët më të vështira për Bashën në krye të PD- së.
Në media dhe studio televizive, Basha dhe drejtues të PD- së, u përpoqën të prishnin analogjinë e vendimeve “non grata” për Doshin e Berishën. Kërkuan publikisht prova nga DASH për vendimin ndaj Berishës, por siç doli pas datës 9 shtator, ato i ka parë apo dëgjuar vetëm Basha, i cili e ka deklaruar se “nuk kishte ndërend ti ndante me askënd”. Po ashtu, Berisha deklaroi se nuk dëshironte të përfshite PD- në në këtë “çeshtje personale” dhe ngriti padi në një gjykatë franceze për sekretarin Blinken, duke i kërkuar të paraqesë prova për shpalljen e tij “non grata”.
Paralelisht, presioni i dukshëm dhe i padukshëm nga ndërkombëtarët, vazhdonte mbi Bashën. Sigurisht, ai e kuptonte se përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar nuk ishte gjë e lehtë. Ligjërisht, as KQZ nuk mund ta largonte Berishën nga Kuvendi. Edhe vetë ky institucion, me mbledhjen e tij të parë, do ta kishte të vështirë të ndryshonte Ligjin e Dekriminalizimit, duke futur “non grata” si masë që shkakton humbjen e mandatit të deputetit.
Basha zgjodhi rrugën më të vështirë. Pasi provoi të kërkojë dorëzimin e mandatit paraardhësit dhe u ndesh me refuzimin e Berishës, Basha vendosi të veprojë moralisht, duke mos pyetur shumë për statut apo rregullore të PD- së. Zgjodhi të bëjë publik përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar vetëm pak orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, me shumë gjasa, për të zvogëluar impaktin negativ në radhët e deputetëve por edhe antarësinë demokrate e simpatizantët.
Kështu, Basha ndërmori një hap të paimagjinueshëm, i ndërgjegjshëm se po penalizonte liderin historik të PD- së por edhe i bindur se në çdo rast, pas rikonfirmimit për herë të tretë si kryetar me parimin “një antar, një votë”, do të jetë fitues në një përballje të mundshme me Berishën në strukturat e partisë. Sepse këto 30 vite kanë treguar se asnjë kryetar partie, të madhe apo të vogël, nuk mund të largohet nga karriga nga një sfidant. Edhe zërat brenda PD- së, ku shumica po orientohen në krah të Bashës, shkojnë në këtë linjë.
Zgjedhja e Bashës, në pamje të parë, duket se ka qenë pragmatiste. Fillimisht, siç ka thënë ishte në “interes të Berishës e familjes së tij” por edhe për të mos qenë në antagonizëm me ndërkombëtarët, sidomos me amerikanët, të clët nga 1990- a kanë peshë specifike shumë të lartë në ndërrimin e mbajtjen e pushtetit në këtë vend. Ajo që mbetet të verifikohet, është se çfarë i është premtuar në këmbim Bashës për distancimin publik politik nga Berisha dhe kur do të shihen “frytet” për PD-në, antarët e simpatizantët e saj. Por në të gjitha rastet, Basha e ka saktësuar se është “përjashtim i përkohshëm” për Berishën, duke lënë gjithsesi një “derë të hapur” për çdo vendim tjetër.