Ish- kryeministri Berisha duket i vendosur në nisjen e turit të tij të bashkëbisedimit me demokratët, në atë që ai e quan “Foltores per nje Parti Demokratike me te bashkuar, me te forte dhe me te hapur”. Përmes një publikimi në Facebook Berisha ka paraqitur edhe disa foto, mesa duket bërthama apo stafi që do ta shoqërojë në takimet në mbarë vendin. Duke gjykuar nga fotot, duket se pjesa më e madhe janë të rinj jo shumë të njohur, mes të cilëve spikasin edhe ish- drejtuesit e FRPD- së Greta Koçi dhe Gerti Bogdani.
Në publikimin e tij Berisha shkruan: “Njoftim! Te dashur miq, Diten e enjte me dt 16 shtator ora 18:00 ne Hotel Rogner nisim ciklin e “Foltores per nje Parti Demokratike me te bashkuar, me te forte dhe me te hapur”! Foltorja do te jete nje bashkebisedim me demokratë dhe demokrate qe nis ne Tirane dhe do udhetoj ne mbare vendin. Jeni te mirepritur! Rrofte Partia Demokratike.”.
Në pamje të parë, duket se Berisha po e nis fushatën e tij brenda PD- së pas vendimit të Bashës për përjashtim nga Grupi Parlamentar, duke patur në krah një si lloj grupimi rinor të ngjashëm me KOP. Komiteti i Orientimit të Politikave, pjesë e të cilit ishte edhe vetë Basha, në vitin 2005 ishte një faktor plus për hapjen e PD- së, gjë që solli edhe fitoren e zgjedhjeve politike asokohe. /ShkodraWeb/