Shumë tërmete në të kaluarën na japin njohuri për efektet e tyre, të cilat janë shumë të rëndësishme, kur bëhet fjalë për planifikimin e zhvillimin urban. Qëllimi i mikrozonimit është të ofrojë të dhëna për planifikimin urban dhe vlerësim të ndjeshmërisë së aksioneve për ndërtimet e rrezikshme të niveleve të ndryshme.
Zona e Shkodrës është nga ato zona të vendit tonë që është tronditur disa herë nga tërmete të fuqishme, prej të cilëve shquhen tërmeti i 1 qershorit 1905 dhe 15 prillit 1979, të cilët janë dokumentuar mjaft mirë sipas të dhënave instrumentale. Megjithëse ishte fillim shekulli, pasgoditjet e fuqishme të tërmetit të 1 qershorit 1905 janë rregjistruar mbi 500, nga stacionet sizmologjike europiane, qoftë edhe nga kronistët e kohes.
Tërmeti i 15 prillit 1979 u shoqërua nga një numër i madh pasgoditjesh, të cilat vazhduan deri në pranverën e vitit 1980. Duke u bazuar në të dhënat sizmologjike, vihet re se zona e qytetit të Shkodrës, përfshihet në zonën, e një prej vatrave më të fuqishme të vendit tonë. Sipas të dhënave sizmotektonike rezulton se potenciali sizmik i pritshëm, për ngjashmëri me termetet që kanë ndodhur, është 6.5-7.0.
Si rrjedhojë vlera e magnitudës M=7.0 është vlerë me probalitet ndodhjeje tërmeti të fortë në këtë vatër. Që nga tërmeti i 15 prillit 1979, vatra e zonës së qytetit të Shkodrës vazhdon të paraqitet aktive me çlirim të vazhdueshëm të energjisë. Duke u bazuar sa më sipër mund të përcaktohet edhe nxitimi maksimal që mund të gjenerojë një tërmet të tillë në shkëmbenjtë rrënjësorë.
Për mikrozonimin sizmik të qytetit të Shkodrës, dallojmë këto zona:
1.Zona me intensitet maksimal të pritshëm 7 ballë, e cila zë 9% të territorit, dhe përfshin pjesën kodrinore Tepe-kala Rozafa si dhe rrëzën e malit të Taraboshit;
2.Zona me intensitet maksimal të pritshëm 7.5 ballë, e cila zë 12% të territorit, ku përfshihet pjesa veriperëndimore e qytetit në zonën ish- industriale;
3.Zona me intensitet maksimal të pritshëm 8 ballë, e cila zë 32% të territorit, ku përfshihet pjesa qendrore e qytetit të sotëm dhe rrëzën e kodrave të Tepe-kala Rozafa;
4.Zona me intensitet maksimal të pritshëm 8.5 ballë, e cila zë 40% të territorit, ku përfshihet pjesa perëndimore e qytetit, lagjia Bahçallek dhe Tabakët;
5.Zona me intensitet maksimal të pritshëm 9 ballë, e cila zë 9% të territorit, dhe përfshin pjesë të kufizuara të qytetit të Shkodrës.
Thyerjet tektonike aktive të cilat sipas hartës së mikrozonimit të qytetit të Shkodrës shtrihen rreth kodrave të Tepes dhe rrëzë malit të Taraboshit, ku kalojnë prishje tektonike aktive, të cilat në rast të ndodhjes së tërmeteve të mëdhenj mund të jenë vatrat e çlirimit maksimal të energjisë.
Nga kjo pikëpamje gjatë shtrirjes së këtyre thyerjeve duhen evituar ndërtimet e godinave apo te objekteve të tjera të rëndësishme, pasi për një moment mund të shkaktojnë dëme e pasoja të padëshirueshme. /Publikuar në Facebook nga Ervis KRYMBI, pedagog/