Tre vjet më parë, do të ndahej nga jeta Isa Alibali, një nga intelektualët e spikatur të Shkodrës. Përveç shumë funksioneve të rëndësishme në institucionet artistike- kulturore të Shkodrës, ai do të kujtohet gjatë si një nga mësimdhënësit më pasionatë të lëndës së letërsisë.
Isa Alibali lindi në Shkodër me 26 janar 1940. I diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, pastaj, ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion.
Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.
Disa nga veprat që na la Isa Alibali
-1997 “Në Shkodër të gjithë këndojnë…”, i cili përmban histori të krijimit të këngëve shkodrane. Ky është libri i parë që lidhej me këngën shkodrane, si një nga shtyllat e traditës artistike të Shkodrës. Ribotimi i këtij libri u bë në vitin 2011.
-2002, “Mirënjohje” që lidhet me figurat më të shquara të artit të kultivuar të Shkodrës e më gjërë, si aktorët, regjisorët, shkrimtarët, kompozitorët, këngëtarët, piktorët tanë të shquar, etj.
-2005,“Prenkë Jakova” trajton jo vetëm jetën e figurës madhore të muzikës shqiptare, që i dha emër të madh Shkodrës, veçanërisht me operën e parë shqiptare “Mrika”, përshkroi jetën e veprimtarinë muzikore të Prenkë Jakovës, por në këtë libër tregohet se si është zhvilluar muzika në Shkodër dhe që është edhe kjo një shtyllë e fuqishme e traditës artistike të qytetit tonë.
-2007, “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, ku shpaloset jeta dhe veprimtaria artistike – humoristike e kollosit të humorit shqiptar Tano Banushi, si dhe për shumë aktorë të njohur të humorit në Shkodër, që kanë rezatuar vlera në të gjithë Shqipërinë.
-2011, libri me kujtime “Si e njoha Mirditën” ku paraqiten mbresat nga puna në Mirditë në fushën e arsimit në rininë e autorit, edhe si drejtor i parë i Gjimnazit të parë të Rrëshenit, në vitin 1960.
-2012, “Rrënjë dashurie” (Shkodranët për Kosovën) që lidhet me marrëdhëniet e ngushta midis Shkodrës dhe Kosovës, në histori, arsim, kulturë dhe arte dhe ndikimet e tyre të ndërsjellta. Ky është libri i parë i këtij lloji, që shpreh ndjenjat e dashurisë midis këtyre trevave shqiptare, trafditat e përbashkëta dhe kontributet reciproke ndaj njëri-tjetrit. Libri përmban kujtime, tradita veprimtari, portrete, mbresa, udhëtime turistike, reportazhe e ngjarje të përjetuara larg e afër Kosovës. Ky libër, në kuadrin e viti jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, i kushtohet shqiptarëve të Kosovës, të cilët, përveçse kanë dhënë shembuj të shkëlqyer të trimërisë, qëndresës e të unitetit, kanë bërë edhe edhe një jetë të pasur shpirtërore , duke ruajtur traditat, gjuhën, dinjitetin dhe duke mbajtur gjallë , si gjënë më të shenjtë, ndjenjat e çmuara kombëtare të atdhedashurisë.
-2015, “Përtej Mjegullës ka Dritë”, Roman, pasqyron fatin e veshtirë të njerëzve gjatë diktaturës si pasojë e ushtrimit mbi ato të Luftës famëkeqe të Klasave, rrugën e mundimeve të shumta të tyre, dhe ndikimin e egër në jetën shpirtërore të personazheve.