Një seancë e gjatë, që ka vënë në provë 45 vjeçarin nga Selci Lama. Në dalje nga Prokuroria e Periugia-s, i lodhur dhe me zë të mekët, Davide Pecorelli i ka thënë gazetarëve: “Kam 4 fëmijë, tre prej tyre janë akoma të mitur, ju lutem bëni punën tuaj me profesionalizëm”.
Tregon se familja e tij nuk dinte asgjë se çfarë po ndodhte dhe shton: “Nuk kisha asgjë për të fshehur. Gjithsesi, kam kryer vepra penale, për të cilat do të flasë prokurori. Pjesa e parë e historisë sime është tragjike, por nuk do t’ua tregoj unë”, ka vijuar Pecorelli.
Kush i ka vënë zjarrin makinës në afërsi të Pukës në Shqipëri? Pse kjo zhdukje? Përgjigjet janë, por kanë mbetur brenda mureve të Prokurorisë.
“Ajo që është e qartë, ka thënë Pecorelli, është se nuk do të bëj kurrë sipërmarrësin në Itali. Nëse e kam bërë gjithë këtë për të përfituar sigurimin e jetës? Jo, janë 30 vjet që unë kam një sigurim jete, sigurisht nuk kisha nevojë të arrija deri këtu”.
Tani do të kthehet në shtëpi, pranë familjes së tij. “Nuk kisha mbajtur kontakte me asnjeri në këto muaj, pohon, të afërmit e mi më kanë riparë kur jam kthyer nga ishulli i Montekristos”, tha për gazetarët Davide Pecorelli.
Pas mëse 8 muajve i zhdukur në Pukë, duke lënë pas edhe makinën e marrë me qira në Tiranë të djegur, Pecorelli u bë i gjallë dy ditë më parë. Atij i ishte prishur gomonia me të cilën udhëtonte në det në Itali. /Përktheu dhe përshtati nga italishtja ShkodraWeb/