Nji fjalë apo nji shprehje banale, kur thuhet në kohë e në hapsinë, nuk tingëllon e atillë! Shumë vite ma parë në qytetin e Shkodrës organizoheshin shfaqje me program artistik, kryesisht me kangë, grimca humoristike e parodi, në qendren e qytetit, në Piacë.
Merrnin pjesë grupet amatore të ndërmarrjeve si edhe ndonji lagje. Jam deshmitar okular i njenes prej tyne e cila, kur më kujtohet, me ban me qeshë me “lot”! Atë natë të bukur vere, në tribunën me dërrasa përballe Hotel Turizmit, të cilin shkodranët e kishin “pagëzue”edhe me nji emën tjetër…”Hotel Kuji” sepse ishte godina ma e naltë dhe e vetme në atë shesh e dukej si “kuj” mbi qytet, do të jepej nji shfaqje.
Gjithashtu kjo nofkë (Hotel Kuji ) kishte edhe nji domethanie tjetër: Njerëzve që shkonin me ngranë e me pi ndonji gotë në atë hotel-restaurant, u hinte “kuji”…sepse ushqimet e pijet ishin të shtrejta për “masat e gjera punonjëse”!
…Atë natë do të jepte shfaqje lagjia “Liria” e cila ndodhet në të dyja anët e Urës së vjetër të Bunës. Shkodranët, historikisht, e kanë quejt “Lagjia e Magjypve”! (Janë “paksa” racista këta shkodranët)! Nejse…
…Filloi programi i Lagjes me kangëtarë simpatikë, të talentuem, me zane të bukur e instrumentistë me duer të shkathta e të shoqnuem edhe me dajre! Krijuen nji atmosferë të mrekullueshme, por…afër tribunës ishin mbledhë nja 100 fëmijë që shtyheshin, bërtisnin e hidhnin edhe romuze me za të naltë në drejtim të tribunës! Disa filluen të bërtasin:
– O magjypë…o magjo…ha, ha, ha…
Edhe pse disa të moshuem u munduen t’ i qetësonin, fëmijët vazhdonin me ba zhurmë. Orkestra dhe kangëtarët nuk reagonin fare por vazhdonin programin. Ushtonte sheshi prej kangëve të tyne ritmike. Ma në fund edhe fëmijët u qetësuen! Programi zgjati rreth 30 minuta. Në fund doli para mikrofonit nji vajze e re e cila kishte paraqitë programin e shfaqjes dhe tha me za të naltë:
– Të dashtuuun spektatooor, me kaq prugrami i jonë mori fuuund. Natyn e miiirë e…na rrushi b*etheeen!
P.S. Atë shfaqje nuk kam për ta harrue deri sa të vdes! Rroftë humori shkodran! /Publikuar në Facebook nga aktori shkodran Ymer BALA/