Vetëm pak kohë më parë, nuk mund të mendohej kurrë kjo që po ndodh këto kohë, edhe sikur të futeshin në punë fantazistët më të mëdhenj: do të dukej surreale! Dhe do të dukej, krejt sajesë pa kripë, që “Babai” politik i Lulëzim Bashës, mentori dhe “protektori” i tij numër një, të shndërohet sot, në akuzonjësin më të madh, në akuzuzuesin më gojëprishur dhe më gojërëndë të Lulzim Bashës.
Gjykuar vetëm nga fillimet e Berishës kundër Bashës, gojërëndësia dhe gojëprishësia nga ana e Doktorit, do vijë gjithmonë e më në rritje. Ashtu si është rëndom në stilin e tij, ai, pritet të akuzojë Bashën në çdo detaj të jetës së tij. Kështu si ka filluar, do të shajë e do ta denigrojë, dhe do të përgojojë pa asnjë kufizim, edhe më rëndë se sa vetë Ramën.
Me fjalorin pikant, agresiv dhe destruktiv, tipik berishist. Me siguri Doktori, për ti bërë sa më interesante, dhe sa më spektakolare “foltoret”(në të vërtetë e ka gjetur bukur këtë emërtim!), do shkojë thellë e më thellë, larg e më larg…
Aq sa shpesh më shkon në mendje: “mos vallë është edhe poliagjent ky Lulzim Basha?!”
Ndërkohë që, në radhët e para të këtij spektakli aq sa tragjik, po aq edhe komik, qëndrojnë socialistët gazmorë dhe patronazhistët e vëmendshëm, ministreshat apo bejlereshat, drejtorët milionerë të Shqipërisë së re, specialistët e rrugëve dhe të asfalteve, që fërkojnë duart të gëzuar, të harbuar dhe çakërqejf!
Ata sigurisht mezi presin, që edhe Basha të “zbresë në fushën e betejës” verbale dhe ta ndezi edhe më shumë Berishën dhe spektakli të arrijë majat. Mirëpo Basha, ka zgjedhur vetëpërmbajtjen dhe deri tani ja ka dalë të mos jetë pjesë e spektaklit, duke e lënë Berishën krejt vetëm dhe pa as më të voglën replikë direkte.
Ndërkohë që “fabula e Doktorit”me argumenta konspiracioni (marrëveshje e fshehtë Soros-Rama-Basha) dhe me një thikë që ngulet pas shpine, duket se po konsumohet me shpejtësi, dhe po bie në përsëritje. Sepse është e madhe ngarkesa e tij emocionale, shpërthyese dhe pa vetëpërmbajtje.
Me agresivitetin e tij të njohur, Doktori, duket se i shkoi deri në fund mllefit të tij të papërmbajtshëm anti-Basha. Dhe me një shpejtësi po aq të madhe, duket se po i shterron qypat e vrerit, duke u bërë i parashikueshëm, në shpalljen befas: të “armikut shumëplanësh Lulzim Basha!”.
Po Basha? Çfarë duhet të bëjë ai?
Sigurisht bëri mirë që e ndërpreu “heshtjen” për këtë temë. Por ndoshta duhet të flasë më shumë dhe më qartë. Ndoshta të mbrohet duke mos e sulmuar “babën idhnak”. Gjithashtu Basha, duhet politikisht të ndihmojë më shumë shqiptarët që të kuptojnë më mirë dhe më qartë “rolin e aleatit amerikan” në këtë krizë.
Duke dekodifikuar sa më shumë të jetë e mundur komunikimin me opinionin publik, në lidhje me amerikanët. Duke kaluar pra, nga gjuha e koduar, në një gjuhë më dyst taban… /Nga Artur ZHEJI, 360grade.al/