Nga Albert VATAJ
Ti mundesh mos me pas ken kurrë n’Shkodër, me e ndi atë, sepse ajo, t’përshkon fundekrye, kur e prek drojshëm n’kujtime, si suprinë e zbuluese e nji dëshire, njashtu si kurmin e nji padurimi qi t’teptis, e fundekrye t’trazon. Nuk asht diçka imagjinare, ngase don me ken njaq e purpurtë e drithëruese, njaq e amël dhe e ndojtun. Asht nji ngulm që i troket çdonjënit n’portën e vjetër t’kujtimeve, e njashtu frigue shpesh largohet pa pas se kush e pret e kujt i derdhët n’përqafim.
Ti ke dasht me shkue n”Shkopdër, e kjo dëshirë nuk të asht realizu hala, me shku, njashtu siç shkohet në nji vend qi më shumë se i rrethuem me det, mal e liqen, ate e përkundin aroma lulesh qi çilin ndër oborre, siç kllapitet mramjeve prej hapave e pëshpërimës së fjalve t’amla e prekjeve t’drojshme, kotet kujtimeve e këndimeve, tançkahes qi e mbrun kyt andje t’tamelt.
T’tana këto e do shumë të tjera, asht kujdes me i përcjell me një gojtari epikash e ledhati këndimesh shpirti, Rozafa, jo ajo legjendarja e kalasë, por ajo Rozafa e zashmërisë së gjithçkaje qi ndodh në Shkodër, ajo Rozafa qi mëton fotografen njaq sa edhe kuratoren, Rozafa qi i bie kitarës njaq sa zgjon amëltim e t’kredh n’mendime me vargun dhe poezin e saj. Asht Rozafa Shpuza, zani i njëmend i poezisë shqipe, “letërsis qytetase”, siç e ka kumtue Diana Kastrati, asht brishtësia e atyne kujtimeve, qi tue dasht me u riba, ata druhen se zhbahen krejt e lan tragjiken n’vend t’përmallimit. Asht nji za qi më shumë se kulmim poetik, asht përmbushja e nji amaneti, shlyeja e nji pengu, asht ç’ka te Rozafa Shpuza mundet me ken gjithçmos për me mrri te kujtimet, te malli, te ç’ka koha e ka përtyp, por pa mujt me e shpërba, njaq sa mundet me ken tharm për nji ngjizje t’hyjshme krijimi. Sepse Rozafa asht nan, e n’prehnin e saj ajo ka përkund jo vetëm pjellën e vet, por edhe gjithsinë e njasaj qi ajo don me e njit njaq nal, sa me u ndi e shpërblyeme.
Rozafa këso here me librin, “Nana i qëndiste kryq dimnat”, n’se je shkodran, je rrit e ke kujtime nëpër këto rrugina e këto oborre, don me u rikthy, diqysh, me përjetua çaste dhe njasi t’shkumesh, qi tue mos mojt, me riardh ma, ata janë gjithnji e ma t’dishrume, e përherë e ma t’mëvetme, në ngulmin me i përjetu, si tue dasht me e ndal kohën e me e kthey mbas.
Jo, tue ken e pamujtun, Rozafa, t’merr përdore si nji fmi të tulantun, si nji fmi t’xanun n’faj, si nji andërr e kputun, e t’çon bash njaty ku don shpirti jot, njaty ku kujtimet e tuja lidhin nye kohën, e n’përçapjen me i riba gjanat, veç përmallim marrin n’vedi, e veç lot u shkasin syve.
Tue ju rithy nji gjaje personale, mundem me nda me ju. Rozafa n’autografin e saj m’kishte shkru: “Albertit për me i sjell pak Shkodër” n’Tiran, e qysh bre. S’pari m’pruni kujtimet e t’atit t’saj, nji prej shkodranve ma t’dritshëm qi kam taku. Thue por s’munesh me besu, Cuf Shpiza, profesori dhe librari, ishte nji burrë qi kishte nji buzëqeshje qi rrezatonte nji drit t’hyjshme, nji njerëzore qi ma s’shumti mëkohej prej asaj ç’ka kishte n’zemër dhe ç’ka kumtonte me zanin e tij. Te ai burrë mue ma kishte anda me pa Shkodrën, me e përfaqsu ate. E tash, asht Rozafa, e cilla, asht shkodrane njaq sa asht nji etalon i njerëzores dhe intelektuales, artistes dhe vullnetmires, me ba e me dhan, për Shkodrën, jo vetëm me Odën, por me gjithçka qi aja ban, dhe gjithçka ajo mëkon kaq bujarisht.
Tue ju kthy librit të saj, n’parantez mundem me than, se Rozafa Shpuza asht nji Amazon e poezis shqipe, asht nji za origjinal, asht nji Rozaf, e kurrkush tjetër nuk mundet me ken, e me shkrua, siç ajo din, ndoshta tue dasht me mbet një identitet në poezin moderne shqipe.
Poezia e saj asht e kurueme njaq sa s’mundesh me gjet n’te kurgja t’tepërt. Domosdo, ajo i asht kthy poezive jo nji herë, por sado qi ajo e ka ripa krijimtarin e saj, nuk ka pas kohë me u magjeps, sa ka lyp n’vedi nji nevojë për me e dlirë emocionin prej gjana t’tepërta, e me çlirue poezinë prej ngarkimeve qi i marrin frymën. Dhe e ka ba këtë me t’njëjtin emocion, siç edhe e ka shkru, siç edhe e ka hedh atë moment, atë emocion, atë copë Shkodër, atë njësi strukturimi krijues e kompozimi emocional.
Tue u rikthy n’Shkodër, vargu i Rozafës m’grishi n’kujtime, e m’trazon, tue m’çu prej nji oborrit n’tjetrin, prej nji prekje drithëruese n’tjetrën, prej nji trazimi n’fajin tjetër, për t’cillin sod ndoshta m’duhet me lyp falje. Ani, ajo ndoshta guxoi ma shumë se shumnjëni prej nesh, dhe kjo heroike e shpirtit mëkues asht s’pariherë nji shpërfaqje, tejdukshmëria e të cillës nuk na njeh veç me Rozin, por me tanken ka jetue në këtë qytet edhe gjikund tjetër, ku shkujdesja asht ken nji formë e çultër përfshimje dhe jetësimi të gjanave, që na kanë mësue, se duhet me u rrëzu n’daç me u rrit, se duhet me gabu, n’daç me besu n’diçka për t’cillën je i gatshëm me u sakrifiku.
Kjo asht poezi e Rozafës në librin “Nana i qëndiste kryq dimnat”, nji gojim shpirtnor i çiltër, njaq sa mundet me cek edhe n’drojet tona, n’njato momente qi flejë brenda nesh, tue u drasht prej frikës, se dikush i zgjon e duhet me u shfajsu në n’donji shpagim.
Edhe Rozafa asht njëjt e përfshime n’kyt ritual përditshmërie shkodrane, qi vjen përmes vargut të saj me nji gegnishte t’amël e nji kurajë heroike rrëfimi. Se, sod, kena t’tan frikë me u kthye mbas, me pa e me tregu, me kallzu se ku gabum e ku bam faje, ku u lumnuem e ku morëm zjarr ndër ndijime, me mëlmye me tamëltat përvoja t’dashnis, t’tashmen, e tue u shplu kujtimesh me përjetu, ndoshta tue u skuq n’ftyr e tue u ndez n’zemër, tue kafshue buzët, e tue truc harbimet.
Rozafa Shpuza, njëmend qi vjen me na rikthye n’Shkodrën që ikëm e lame, vjen poetikisht e na zgjon kujtimet, vjen metafora e saj e na kredh n’mendime e na trazon, na përpush e na gërmush. S’ka faj me shlye Rozi edhe pse na xehen n’faj, e ndrydhena n’trazim t’viteve e t’kujtimeve qi mbetet përtej avllive e nan degë pemësh, hapash t’ndrojtur kalldrëmeve, e gërrvishtjesh nazike t’dyrve t’vjetra, qi na i rinojnë vitet e shkume, por tue mujt me na i kthye vetëm si zemërdridhje e zashterrime.
Nuk sjell neper poezitë e saj, Rozafa, vetëm rinin, por edhe fminin tonë, me njat kthjelltësi siç din me e pru vetëm poeti, me njat pafajsi, siç ka gjas me e përviju njaj shpirt qi din dhe guxon, me i përjetue çastet e t’shkumes, si shkreptimat e t’tashmes. E pahet poetja nëpër kyt dritë, e kqyrena na me njani-tjetrin, me ç’ka ka mujt me mbet s’brendshmi nesh Shkodra, rrugicat e tançka e saj. E merr kyt land, e tue e mbru në mendime e mëtime, ajo i bahet zadhanës një vullneti dritun në nji diell ku pahena e përlahena. Fjala dhe vargu, cekin në zakonshmërinë e gjanave që rrëmon malli dhe prej aty, përmes një lakimi ledhatar e përpush përfytrimin e nji çasti t’rikthyem në përjetim, duke e mëkuar si një za, si nji andje që tejkalon zakonshmërinë, për të rrokur një forcë përçimi. Dhe e gatuan këtë llavë shpirti me një përkujdesje rishtari, që çdo shoërthim të ngjasojë me një kujtim dhe çdo ndërmendje të të rrugëtojë nëpër një udhë ku mujn me t’çue vetëm andrrat.
Diqysh, “Nana i qëndiste kryq dimnat” jan edhe nji ditar poetik për Shkodrën, tanakohjet e asaj qi jetuan e u banen grishje e zjarr n’shpirtjet e mëtimet e poetes. N’se shpesh ajo asht përpjek qi me e ba Shkodrën pjesë tonën, përmes fotografisë, apo aktiviteteve t’shumta t’organizueme dhe t’promovueme prej saj nga Oda, kësohere, Rozafa Shpuza guxon si edhe herë të tjera, me ligjëru poetikisht, me rrëfye nji rrugëtim nëpër Shkodrën e fminis së saj, qi asht edhe jona, t’rinis që ka jetu ajo, qi mujti me ken patjetër edhe e shumnjenit prej nesh. Dhe nuk e ban këtë rrugëtim poetik, hajt sa me mbërrit atje ku ajo ka diçka me than e diçka me kallzu. I ka hy kësaj sipërmarrje me nji përgjegjësi t’epërme krijuese dhe e ka ba si pakush tjetër, për sa i përket tejdukshmërisë së gjanave dhe papajtueshmërisë dhe kompromiseve me kurrnji rregull apo normë.
Rozafa sjell Shkodrën ashtu dritshëm, t’dalun prej vezullimit të shpirtnores së poetes, por ma shumë se krijuese, rrëmon në çdo puls e në çdo portë, në çdo kujtime në çdo oborr, në çdo përçapje e në çdo guxim, me shpalue jetën e çdonjenit prej nesh, e rrjedhimisht me kallzue, se sa bukur e jetuem na Shkodrën, e sa bukur e ruejm në kujtime ate, edhe pse shumëkush prej nesh i ka kthye shpinën këtij qyteti, këtyne kujtimeve, për nji jet ma t’mirë, dhe.., Rozafa i kthen, tue u mylmye mallin e tyne me kujtime, me përmallime e me lot.
Sepse ajo vet, edhe pse ka vite që ka ik nga Shkodra, ajo asht n’Shkodër në çdo gazmim e ligështi, në çdo hov e lavdi, asht njaty ku ndihet në n‘shpin e saj si n’zemër e n’prehën t’dashnive e përkujdesit. Do me ken me e mbet Rozafa, …nji tjegull e shpis pa pullaz, qi rreket me ngjizë pazëllin e stërlashtë, sa legjenda prejkah i ati e pagëzoi.
Kur ndalem me fol për nji libër me poezi, e me i than dy fjalë për krijimtarinë, njaq sa për vetë krijuesen, gjehem kapluem në nji shtjellë të rrapëllimtë shpirtnore. Poezitë dhe njiherash me to, situatat, grishjet, kujtimet, përmallimet, mendimet e mëkimet e dritshme poetike, bahen zgjatim i t’tashmes teme, shndërrohem në nji krijes imagjinare, qi cek nëpër prekje e prehje, për me mujt me gjet nji shteg me dal, e ndërsa mundohem me u çlirue prej këtij përjetimi, prej këtij përjetësimi të shembur brenda meje, lypi vedin, e njashtu mundimshëm mundem me u përmend mbas nji çapërlimi, mbas nji indice me shkue atje ku nuk mundet me t’çu koha, por mundet me t’përmend vargu, përjetimi, i tillë i sinqertë, njaq sa t’ban me ken pjesë e këtij solemniteti krijues, i kësaj force shndrrimi të gjendjeve dhe emocioneve.
Gjithqysh… “Nana i qëndiste kryq dimnat, mbi nji thes andrrash, që tash frymon tëryhor pragut, atje në qytetin me tezgjahe shinash”, atje ku Rozafa ndjen se fijet e kryqzojnë ndër direkë mëkatesh, e ajo ç’tirret, ç’tirret, prore. Ajo e ndjen se n’kujtes i janë skalit veç theqafje, e nji melodi shpirti rreket me përpush jehonat e zanit, ardhun prej përtej andrrës. Kam mall me ndi mall, thotë Rozafa, siç çdonjëni prej nesh qi tue nigju kyt za, tue u përpush prej këtij mëtimi, rreket me lyp fijet e t’shkumes, si tue dasht me u rikthy, me shlye pengjet e me shpague çka mbeti veç nji andërr.