Njëri që u quajtka Kozak, qenka shpallur mbreti i Instagramit dhe Tik-Tokut. Por një tjetër që u quajtka Fabio, mesaduket pretendent për fronin, qenka futur në luftë me të. Lufta përfundoi me një pengmarrje dhe me një diskreditim publik të mbretit Kozak. Mediat njoftuan se për të qetësuar situatën ndërhyri vetë Stresi. Kjo është lufta për sundim në një mbretëri që ca si puna ime nuk e njohin dhe as e kuptojnë. Por mesaduket ne jemi shumë të pakët.
Kjo luftë për fron, tërhqoi shumë vëmendjen e mediave online. Ajo u ndoq hap pas hapi, edhe live madje(nuk është më si dikur, luftrat janë transparente tani). Audienca maksimale. Vetëm Rama dhe Berisha konkuroijnë në rrjet me mbretërit e instagramit.
U shtyva të mësoj pak më shumë për këtë lloj mbretërie. Një video tregonte mbretin Kozak që tymoste hashash dhe i përgjigjej njërit që e shante me libër shtëpie – siç thuhet në gjuhën e kësaj mbretërie. ”O bishe, vet të hëngri b… o bishe, pse u krujte me mu o bishe”- shikimet live rriteshin frikshëm.
Edhe videoja me titull “Kozaku pi kokainë live” kishte ecur shumë mirë në rrjet.
Reagimet vazhdojnë. Protagonistët dalin nëpër “konferenca shtypi” për të sqaruar rrethanat, dhe mediat i ndjekin hap pas hapi.
1-Eshtë për të vënë kujën që mediat online, në emër të klikimeve, i dhanë dhe i japin vëmendje ngjarjeve të tilla.
2-Eshtë për të vënë kujën për audiencën e tyre, nga një gjeneratë e destinuar të bëhet llumi i shoqërisë.
3-Eshtë për të vënë kujën që askund në media nuk ka sot një program edukativ për fëmijët. Ndërsa adoleshentët ndahen në grupe fansash të njërit mbret dhe fansa të mbretit tjetër, e përlshen edhe nëpër rrugë pastaj.
4-Eshtë e patolerushme që strukturat e shtetit nuk, ndërhyjnë për të bllokuar këto kanale, ashtu siç bëjnë me kanalet që nxisin ekstremizmin fetar dhe tërrorizmin.
A e kuptoni se çfarë adoleshencë e rinie po rritet në këtë vend?
Unë mund të dukem shumë demode, pasi kur isha student mbaja në derën e dollapit të konviktit foton e Kadaresë, ndërsa Tik-Toksat e sotëm mbajnë fotot e atyre që drogohen live në rrjet.
P.S: Fotoja tjetër, nuk është hedhur gabimisht. Ajo është bërë këtë javë, dhe i përket fëmijëve të Qendrës së Librit dhe Kulturës për Fëmijë, në Tiranë, që janë ulur në parkun Rinia për të lexuar një libër. /Publikuar në Facebook nga Mentor KIKIA, gazetar/