Me shpërthimin e Luftrave Ballkanike, në Shkurt të vitit 1913, Paramithia u pushtua nga forcat greke. “Shkëmbenjtë e Paramithisë, rrëzë të cilëve pirgosen shtëpitë piktoreske, me kroje, kisha, xhami, dhe të dy kështjellat, e bëjnë qytetin nga më madhështorët e të bukurit të vendosur në Shqipëri” (Edvard Lear).
Paramithia është një nga monumentet më të rëndësishme urbane të Çamërisë, me një trashëgimi të pasur të kulturës materiale, shpirtërore, shoqërore dhe artistike, tipike të autoktonisë shqiptare. Peizazhi urban jep imazhin e një shqiponje.
Në qytet dhe zonën urbane të tij, ruhen deri në ditët tona rrënoja dhe objekte arkeologjike të prehistorisë, antikitetit dhe mesjetës së hershme, që dëshmojnë origjinën pellazgo-iliro-arbrore, por edhe objekte të kulturës romake, bizantine, osmane etj. Në jug të qytetit gjenden ende fragmentet e një muri me gurë poligonik ciklopik të ndërtuar nga Elimet (fise ilire). Në kodrën “Gallata” ngrihet kalaja elimo-bizantine “Ajdonat”. Pranë një rrapi 700-800 vjeçar është ngritur një nga objektet më të vjetra fetare islamike “Xhamia Mbret” që daton në vitin 1492. Nën kështjellën e Ajdonatit, ngrihet kulla e lartë e Bollatateve.
Kjo kullë është ngritur në kohën e venecianëve për të vëzhguar fushën e Frarit. Në lindje ngrihet kulla e Pronjateve e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Mbi të ndodhet një kala në formë katrori e ndërtuar me gurë të gdhendur e quajtur “Kalaja e Frëngut”. Në qytet ndodheshin disa objekte kulti si xhami dhe kisha të epokave të ndryshme, godina e një medreseje e ndërtuar në vitin 1870 etj. Në pronat e fisit të Pronjatëve është zbuluar një stacion arkeologjik prehistorik që mban emrin “Gura”. Në arën e Kahreman Pronjos në Libon, gjatë Luftës së Parë Botërore është zbuluar nga italianët një bllok mermeri i lartë dhe shumëngjyrësh. Në këtë stacion arkeologjik ka shumë skica, figura luanësh, gjarpërinjsh etj.
Me shpërthimin e Luftrave Ballkanike, në Shkurt të vitit 1913, Paramithia u pushtua nga forcat greke. Të mbështetur nga administrate greka çeta andartësh të udhëhequr nga Deli Janaqi, më 27 mars 1913, mblodhën 72 personalitete shqiptare të Paramithisë dhe fshatrave përreth në Përroin e Selanit e në pabesi pasi i torturuan, i vranë. Masakra e Selanit shënon prologun e politikës greke të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare muslimane të Çamërisë. Në këto kushte terrori filloi emigracioni i popullsisë në Turqi, Shqipëri dhe SHBA.
Në vitin 1923 Greqia humbi luftën greko turke dhe u detyrua të nënshkruante Traktatin e Lozanos. Duke identifikuar besimin me kombësinë, me gjithë presionin ndërkombëtar, nën trysninë e qeverisë greke, popullsia e Paramithisë si e gjithë Çamërisë iu nënshtrua “Andallais” (shkëmbimit). Shumë shqiptar musliman gjatë periudhë midis dy luftrave u detyruan të emigrojnë në Turqi dhe Shqipëri. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Paramithia u pushtua nga trupat italiane dhe më vonë ato gjermane.
Edhe gjatë kësaj periudhe, të lejuar nga forcat italiane dhe gjermane, pushteti vendor grek në Paramithi, vazhdoi terrorizimin e popullsisë shqiptare muslimane, në pritje të realizimit të strategjisë së tyre të spastrimit etnik. Akti final i kësaj strategjie u luajt në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku dhe u finalizua Tragjedia Çame. Më 27 qershor 1944 rreth 1000 trupa të EDES-it, rrethuan Paramithinë dhe filluan fushatën e spastrimit etnik në qytet, por edhe në fshatrat muslimane si Karbunar, Kardhiq, Dragom, Njihor etj. Në Paramithi u therën dhe vdiqën nga torturat dhe uria 703 burra dhe pleq e 212 gra dhe fëmijë. Pjesa tjetër e popullsisë emigroi në Shqipëri.
Në Shqipëri, në këto vitet e fundit, në përvjetorin e masakrës së Paramithisë së datës 27 qeshor 1944, organizohen tubime përkujtimore nga Shoqëria Patriotike Çamëria (SHPÇ).
Pas luftës si pasojë e deportimit me dhunë të popullsisë shqiptare muslimane, në Paramithi ndodhi proçesi i dezertifikimit dhe kompesimi demografik. Shteti grek e ripopulloi Paramithinë me kolonë grekë nga malësia e Pindit, vllehë nga Epiri Lindor dhe disa shqipfolës ortodoksë të fshatrave përreth. Në vitet 1945-2020 ka pasur një stanjacion demografik. Qyteti ka një popullsi shumë etnike: greke, shqiptare vllahe, rome, etj. Paramithia pas Luftës pësoi rrënime të mëdha në vështrimin urban. Pothuajse gjithë ndërtesat e banuara nga shqiptarë musliman u shkatërruan. Xhamitë megjithëse mbijetuan gjatë Luftrës u shkatërruan vite më vonë. Xhamia e fundit, ajo e Bollatatëve, u shkatërrua në vitin 1952. Varrezat e myslimanëve pranë 9 Xhamive u shkatërruan dhe në këto hapësira janë ndërtuar shtëpi dhe rrugë. Në varrin masiv ku ishin eshtrat e mbi 600 paramithiotëve të vrarë, sot është ndërtuar një fushë basketbolli.
Paramithia ka qënë një rajon i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar. Aktivitetet kryesore ekonomike kanë qënë dhe janë edhe sot: blegtoria, bujqësia, kultivimi i ullinjve, artizanati, tregtia etj. Në Paramithi deri në fillim të shek. të XX ishte i zhvilluar artizanati i prodhimit të veshjeve dhe të mobiljeve kryesisht nga artizanët myslimanë, ndërsa shqiptarët e krishterë ishin dyqanxhi dhe merreshin me tregti. Qyteti ka qenë i njohur për argjendarinë e zhvilluar. Me emrin e emigrantit nga Paramithia, Sotir Bulgari, është e lidhur shtëpia e bizhuterive “Bulgari” e Romës e themeluar që në vitin 1881, e cila edhe pas tre gjeneratave, në ditët tona prodhon mallra luksi. Paramithia sot është shndërruar në një qendër të rëndësishme të turizmit rajonal. Ajo ofron disa atraksione turistike si: Kështjella Mesjetare, Kulla e Ballatatëve, Rrënojat e qytetit të lashtë Uria, Banjat Bizantine, Kulla e Sahatit. Në tërësi organizimi urban dhe arkitektonik i qytetit, shtëpitë karakteristike tradicionale, tregu me kalldrëme në qendër të qytetit, tërheqin mjaft turist nga vënde të ndryshme.
Një atraksion tjetër tepër i preferuar turistik është lumi i Gliqis. Qëndra turistike e Gliqisë është një destinacion tërheqësn për shkak të ujit të kristaltë të lumit, burimeve të shumta, shpellave, kanioneve, ujvarave, etj. Në këtë qendër turistike ushtrohen disa lloje sportesh të ujit si ato me gomone, kanoe, turizmi për aventurë, turizmi kulturor etj. Treva e Paramithisë ka nxjerrë shumë figura të shquara të luftës për pavarësi dhe emancipim politik e shoqërorë. Në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XVII kleriku nga Paramithia Dionis “Filozofi” udhëhoqi kryengritjen e madhe antiosmane ku morën pjesë 110 fshatra të populluara nga shqiptarët e Çamërisë. Pinjoll i një nga familjeve më të mëdha fisnike e të kamura të Paramithisë e Çamërisë është Ismail Pronjua, i cili ishte i njohur për veprimtarinë e tij patriotike si udhëheqës ushtarak, në mbështetje të luftërave e përpjekjeve të Ali Pashë Tepelenës kundër osmanëve për mëvetësimin e Shqipërisë. Nga fshati Potam i Paramithisë ishte avokati i shquar Spiro Çalluka, i cili më 1917 ngriti flamurin kombëtar në Paramithi. Ai u bë avokat i çështjes shqiptare deri sa dha jetën, i vrarë barbarisht nga bandat shoviniste të Napolon Zervës.
Paramithia është vendlindja e doktor Hasaf Ajdonatit, i cili ishte së bashku me avokat Spiro Çallukën e patriotë të tjerë, ndihmuan në ngritjen e klubeve kulturore dhe hapjen e shkollave shqipe në Paramithi, Margëlliç e në gjithë Camërinë. Mjaft e njohur në Çamëri për pasuri të mëdha, për shërbimet juridike (kadi) gjatë periudhës Osmane, e më pas, për rezistencën ndaj pushtimit grek (1913-1944), është Familja Muhedini. Pinjoll i kësaj familje të madhe paramithjote është Tahir Muhedini, themelues i Partisë Drejtësi dhe Integrim (PDI-së) dhe Akademisë së Studimeve për Çamërinë (ASC-së), deputet në Parlamentin e Shqipërisë (2013-2017), një zë i fuqishëm i Komunitetit Çam brenda dhe jashtë vendit, në luftën për njohjen dhe futjen e çështjes Çame në rrugën e zgjidhjes. /Nga Prof. Dr. Selman Sheme/