Kush mendon se përplasja politike Basha- Berisha në PD lidhet thjesht dhe vetëm me këtë parti apo anëtarët e simpatizantët e saj, nëse nuk është naiv, është budalla. Prej 8 vitesh, PD është opozita kryesore e këtij vendi, me shumë mundësi, edhe këto katër vite. Roli i saj në Shqipëri është jetik, jo vetëm për votat që duhen për votime të ndryshme në Kuvend, por edhe si “qeveri morale” e këtij vendi sot dhe qeveri reale nesër.
Nga dita në ditë, përplasja po bëhet më e fortë, më antagoniste dhe përveç se në Shqipëri, ajo ndiqet edhe jashtë saj, sidomos nga fqinjët rajonalë e ballkanikë. Direkt ose indirekt, me fije të dukshme e të padukshme, me dalje publike e mesazhe të fshehta, përpiqen të ndikojnë në këtë vend. Fillimisht për trafik influencash të momentit e më pas, për interesa më afatgjata gjeostrategjike në Ballkan e më gjërë.
Minimalisht, situata në PD krijon një panoramë jo stabile por opozitën, normalisht edhe për politikën shqiptare në përgjithësi, sidomos për proceset e integrimit të vendit. Tashmë po konstatohet ditë pas dite se në PD jo vetëm nuk ka unitet, por po diskutohet edhe çeshtja e lidershipit. Beteja moralo- statutore e ka mbërthyer PD- në keq dhe e ka kthyer në kryefjalë të komenteve nga studiot televizive deri tek kafenetë e rëndomta edhe në periferitë e humbura të Shqipërisë. Nuk besoj se ka aq naivë sa të mendojnë se kjo situatë, nuk ndikon në stabilitetin e vendit në përgjithësi.
Simbolikisht, opozita është një krah i shqiponjës me dy krerë. Pavarësisht nëse është pyetur gjithmonë ose jo, pavarësisht përfaqësimit përmes numrave në Kuvend, në momente kyçe të këtij vendi, roli i opozitës ka qenë jetik. Të tilla mesazhe janë përsëritur e po përsëriten, edhe orët e fundit, nga diplomatë të vendeve perendimore në Shqipëri.
Krejt “rastësisht”, teksa situata politike në Shqipëri nuk është më e mira e mundshme, edhe Kosova përfshihet në një rrezik evident destabilizimi. Reciprociteti në është pranuar nga Serbia, e cila tashmë ndërmerr hapa duke afruar forcat e armatosura në kufi me Kosovën. Situata është serioze teksa presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën në SHBA për tu kthyer në Kosovë, teksa kryeministri Albin Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë dhe takohet me partitë opozitare në vend, teksa Ministria e Jashtme e Shqipërisë i bën thirrje publike Serbisë të tërheqë forcat e armatosura në afërsi të kufirit me Kosovën.
Ngjan çuditshëm, por përsëritet ekzaktësisht e njëjta skemë, e cila është zbatuar që nga 2 korriku 1990. Asokohe në Kosovë shpallej pavarësia e vendit nga Serbia dhe mblidhej Kuvendi i atjeshëm, në Shqipëri qytetarët mësynë ambasadat në prag të rikthimit në sistem pluralist vetëm disa muaj më vonë. Ata që kanë qenë të vemendshëm, mund të gjejnë shembuj pafund të një “dore” që kërkon të destabilizojnë paralelisht Shqipërinë e Kosovën.
“Ballkani i hapur” duket edhe më shumë utopi kur në kufijtë mes shteteve, këtë rast Kosovës e Serbisë, dislokohen forca të armatosura, kur nuk pranohet reciprociteti mes shteteve e kur Europa vazhdon të mbajë peng Kosovën me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Natyrisht, këto rreshta nuk janë asgjë më shumë se konstatim, të cilin sigurisht e kanë bërë edhe mijëra shqiptarë anëkend botës. Por asnjëherë nuk është vonë për të reflektuar që gabimet e të sotmes, të përsëriten nesër. Nëse nuk duam që me apo pa dëshirë, të çojmë ujin në qarqet e njohura antishqiptare. /Nga Blerti DELIJA/