Ndonëse në raportin e tij me Lulzim Bashën, Sali Berisha mund të ndihet si dikush që shtë goditur ndaj shpine, ndonëse ai e kupton shumë mirë se kreu i PD-së nuk kishte këllqe ti thoshte ndal një projekti që u konceptua për të përçarë opozitën, në turin e tij nëpër Shqipëri, lideri historik i PD-së po artikulon edhe disa gënjeshtra për të cilat jemi dëshmitarë të gjithë.
Në stilin e njohur prej vitesh, për të bërë një amalgamë mes të vërtetave dhe të kundërtës së tyre për të arritur më shpejt tek qëllimi politik, doktori po synon të rishkruajë historinë e PD së tetë viteve të fundit në opozitë. Lapsi.al ka analizuar pesë prej tyre që duken më flagrantet dhe që qëndrojnë shumë larg nga ajo që sot thotë Berisha.
1)Djegja e mandateve vendim i Bashës. Unë e paralajmërova
Sali Berisha po pohon ditët e fundit në foltore se vendimi për të djegur mandatet e opozitës në parlament ishte ekskluzivisht i Lul Bashës, pa ndërhyrjen dhe imponimin e tij. Për të mbështetur këtë ai sjell në vëmendje edhe një fakt. Se ai ka paralajmëruar në mbledhjene grupit parlamentar se ky qe një vendim i vështirë, që do e përballte fort opozitën me ndërkombëtarët dhe se nëse dilte pa sukses, mund të çonte partinë drejt shkatërrimit.
Ashtu sikurse pohojnë për Lapsi.al disa dëshmitarë, kjo është e vërtetë. Sali Berisha i ka thënë këto fjalë. Por ajo që ai “harron” qëllimisht është tjetër gjë. Se ai qe i pari që hodhi në publik idenë për djegejn e mandateve. Pas një seance në parlament, ku socialistët nuk i dhanë në mënyrë të padrejtë fjalën, ai foli për këtë tezë që e përmendi më pas edhe në disa intervista TV. Ai qe propoganduesi i një ideje logjike se me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira, që që shërbeu për mbështetjen e rrugës radikale.
Pra Berisha ka qenë frymëzuesi i zëshëm i këtij akti për të cilin ndonëse ka pasur ndonjë dilemë në mbledhjen e fundit të cilësi ai i referohet, e ka kërkuar dhe mbështetur vetë. Pastaj edhe në stil akti i Bashës, për ti vënë të gjithë përpara aktit të kryer, pa u konsultuar me askëndd, përfshirë madje edhe aleatët e LSI-së, më tepër i ngjan metodave që Berisha ndjek në të tilla raste.
Pra është e tepërt të thuhet se ai nuk ka qenë për djegjen e mandateve.
2)Lulit i kam kërkuar dorëheqjen në 2017
Ndonëse është e vërtetë që në disa intervista pas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017, Berisha ka përmendur se standarti i tij është që kryetari që humbet dorëhiqet, kjo është shumë larg nga një kërkesë dorëheqjeje eksplicite për Bashën. Madje ai e ka përkrahur atë duke i mëshuar më shumë vjedhjes së zgjedhjeve përmes bandave dhe parave të drogës. Berisha e pranoi ngrirjen fallco të pasardhësit dhe garën e tij fasadë me Eduart Selamin duke kundërshtuar të gjithë zërat që atë kohë kritikonin shndërrimin e demokracisë së brendëshme në teatër.
3)Marrëveshja me Ramën e dëmtoi PD
Sot, Sali Berisha po fshikullon marrëveshjen okulte Rama-Basha, me pretendimin se dy partitë e mëdha, pas kësaj, bënë një fushatë kundër LSI-së duke i zhveshur PD skeptrin e opozitarizmit. Sipas tij, kjo taktikë e gabuar, që krijoi idenë se ishte Ilir Meta kundërshtari i vërtetë i Ramës, i kushtoi PD-së mbi 200 mijë vota.
Kjo në fakt mund të jetë reale, por ama kurrë më parë Berisha nuk e ka vizatuar atë që ndodhi duke e parë nga ky këndvështrim. Ai madje e mbështeti paktin Rama Basha menjëherë sapo u shpall duke i dhënë garanci pasardhësit se nuk do të kishte probleme me këtë brenda kampit demokrat.
4)Lider i thyer që zhduku brenda natës shtyllën kurrizore të PD
Eshtë e vërtetë se Berisha nuk i ka dalë kurrë në mbrojtje aktit skandaloz të Bashës për të përjashtuar natën e fundit të hartimit të listave në 2017, edhe Topallin edhe Boden edhe Patozin edhe Imamin edhe Bregun, që kishin qenë bashkëpuntorët më të afërt të tij. Madje ai u ka thënë atyre privatisht se kjo ishte një padrejtësi për të cilën ai nuk kishte qenë në dejeni. Por a mjafton kjo? A duhet të kishte ndërmarrë që atëhere lideri historik një aksion për ruajtjen e demokracisë së brendëshme, respektimin e statutit dhe të drejtën e forumeve për tu shprhur për njerëzit që do të shpien në parlament?
Me reagimin që po bën tani, kur në qafë Basha i ra atij personalisht dhe standartin e munguar kur e njëjta gjë iu bë edhe bashkëpunëtorëve, Berisha po demostron një moskoherencë të madhe parimore. Ai duket se mendon që demokracia është e nevojshme vetëm kur i shërben për mbrojtjen e vetes. Sepse kur Basha përjashtoi gjithë elefantët e partisë, ndonëse nuk e përkrahu publikisht, Berisha u kujdes që kjo gjë ti shkaktonte sa më pak telashe lidershipit të kryetarit në detyrë.
5)Pas 25 prillit Basha duhet të ikte
Ndonëse sot pretendon se Basha sërish mori më pak vota se në 2013 dhe se ai do ti kishte kërkuar dorëheqjen, Berisha u rendit pro Bashës edhe pas rezultatit të 25 prillit. Madje menjëherë sapo Bujar Nishani e sulmoi kryedemokratin si humbës kronik, Berisha nxitoi të flasë për “masakër zgjedhore” duke e zhvendosur theksin tek ideja se Basha është vjedhur dhe nuk ka humbur.
Deri në mes të majit, kur plasi bomba e “non grata-s”, Berisha nuk artikuloi asnjë sulm ndaj Bashës. Ai filloi ta shantazhojë atë vetëm pasi pa një squllje ndaj amerikanëve dhe një reagim të vakët në kundërshtim të aktit të sekretarit Blinken.
Vetëm atëherë Berisha foli për herë të parë për mundësinë e rikthimit në krye të PD me të famshmen: “Kurrë mos thuaj kurrë”.
Pra, ndonëse në thelb të konfliktit të tij më Bashën duket sikur Berisha ka të drejtë, në luftën politike kundër tij është shumë e vështirë të dallosh kufirin mes të vërtetave dhe gënjeshtrave. Berisha mbetet mjeshtër i përzierjes të të dyjave, për të arritur një rezultat ndoshta më të shpejtë, por jo gjithmonë më të pastër. /Lapsi.al/