Pak orë më parë, Evi Kokalari, e prezatuar si aaktiviste e Partisë republikane në SHBA, tregoi arsyen sipas saj, se përse u përjashtua Sali Berisha nga Grupi Parlamantar i PD- së. Në krah të ish- kryeministrit, Evi Kokalari tha se vendimi për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD- së, u këmbye me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, e hapur në Shqipëri dhe SHBA, lidhur me të ashtëquajturin “lobimin rus”.
Në fakt, për këtë çeshtje, rreth dy vite më parë ishte shprehur vetë Berisha, duke hedhur poshtë akuzat ndaj PD- së dhe Bashës, teksa mbrëmë ish- kryetari i PD- së nuk preferoi të futet fare në monologun e Kokalarit. Dy vite më parë në emisionin “Tempora”, Berisha është shprehur se PD kurrë nuk ka marrë financime ruse.
“Akuzat e Mother Jones janë të fabrikuara. Në mënyrë absolute Lulzim Basha dhe PD nuk kanë pasur asnjë takim me rus, kurrë në jetën e tij. Nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga rusët. Nuk kanë firmosur kurrë kontratë me rusët. Këto janë të vërteta që nuk i luan as topi. Nuk kanë kontratë me para ruse, nuk kanë kontaktuar me asnjë rus për këtë problem. Cdo gjë tjetër është intrigë e ulët e destinuar të përfundojë në hiç.
Pyetje: A ekziston rreziku rus?
Sali Berisha: Është gunvori në Naftë me supermafiozin Ëngjëll Agaçi. Gunvori është kompania e mikut personal të Vladimir Putinit. Është telekomi i kompanisë bullgare të lidhur si mishi me thoin. Rreziku rus është projekti i zoografit biz dhe argatit të Prishtinës për copëtimin e Kosovës. Ai është rrezik strategjik madhor. Këto janë rrezike. Kurrë zoti Basha. E thërret një ditë para mitingut apo për ti bërë presion. Këto i bën një burracak si Edi Rama, por është i pashpresë.”, tha Berisha në 2019.
Ndoshta është fillimi i “goditjeve poshtë brezit” në përballjen Berisha- Basha në PD, për të folur me gjuhën e boksit. Nëse hapet “Kutia e Pnadorës” në PD, deklarata e djeshme e Evi Kokalarit me shumë mundësi do të jetë vetëm “maja e ajsbergut”.
Në vitin 2005, kur si pjesë e KOP- it u bë pjesë e kabinetit qeveritar të Berishës, Lulzim Basha nisi të shfaqej publikisht si një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit të kohës. Pozicionet që iu besuan gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD- së si ministër i Transporteve, ministër i Jashtëm dhe ministër i Brendshëm, janë tregues se ai konsiderohej si “delfin” i Berishës. Pas humbjes së zgjedhjeve të 2013- ës që i paraprinë dorëheqjes së Berishës nga drejtimi i PD- së, fitorja e garës së Bashës përballë Olldashit, ishin një tjetër tregues se Basha ishte dizenjuar që herët si pasardhës i liderit historik në Partinë Demokratike.
Edhe 8 vitet e drejtimit të PD- së nga Basha, pavarësisht mohimeve të vazhdueshme lidhur me vendmmarrjet e rëndësishme nga kryetari dhe ish- kryetari, krijuan në publik perceptimin se ata ishin mjaft të afërt me njëri- tjetrin. Kjo zgjati deri në momentin e përjashtimit të Berishës nga rradhët e Grupit Parlamentar të PD- së në ditët e para të shtatorit. Kjo është histori e re dhe është në sytë e të gjithëve tashmë.
Berisha duket se ka vendosur të mos flasë direkt lidhur me çeshtje sensitive, informacione që padyshim ai i ka. Pas Evi Kokalarit, e cila për hir të realitetit është bërë pjesë aktive e përballjes Basha- Berisha, në krah të ish- kryeministrit, nuk është aspak çudi që të shfaqen edhe eksponentë të tjerë që tregojnë “sekrete” të Bashës. Berisha ruan kështu akoma koherencën, konsistencën, për të mos gëlltitur ato që ka thënë më herët, në mbrojtje të Bashës nga akuza të ndryshme.
Nga ana tjetër, edhe Basha, për shkak të afërsisë, pozicioneve të rëndësishme që ka patur në krah të Berishës por edhe 6 vite në krye të PD- së në opozitë, ka akumuluar mjaft informacione. E nëse përballja do të ashpërsohet, nuk ëashtë aspak çudi që edhe Basha të flasë. Direkt, ose me gojët e të tjerëve, siç po vepron tani për tani Berisha. E në këtë rast, qoftë për Berishën, qoftë edhe për Bashën, vlen shprehja e njohur “askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e tij”.
E nëse do të ndodhë, kështu, që Basha e Berisha të nisin reciprokisht “goditjet poshtë brezit”, të humbur janë demokratët dhe natyrisht, Partia Demokratike. /Nga Blerti DELIJA/