Vendosa ti them sa më poshtë, pasi pyeta veten: Ore kush është ky Aldi Rama i tmerrshëm?
Më erdhën ndërmend shtetasit nga Afganistani që u strehuan më Shqipëri. Disa qytetarë që me sa kam mundur i kam ndjekur në hapat që kanë përshkuar në Tokën e Shqiponjave. Ata sot qëndrojnë të akomoduar në resortet më luksoze të bregdetit shqiptar, u paguhet gjithçka, atyre që u krahasuan me shqiptarët e fillim viteve ’90-të që e siguruan bukën e gojës me gjak e thonj. E dini ju miq, se prej vitit 2006, në Tiranë jetojnë 4 shtetas nga Turkistani?
Ata u dëbuan nga kinezët që sundojnë Turkistanin prej 8 dekadash si terrosistë pse kërkonin pavarësinë e vendit të tyre. Bënë burg në Guatanamo e më pas u përballen me gjyqin ushtarak amerikan nga ku të ashtuquajturit “Ujgurë” u nxorën nga lista e zezë e grupeve terroriste si të pafajshëm. Shqipëria, “Nëna Terezë” e botës, hapi dyert, teksa rrugët e saj janë përplot të mbushura me ‘Aldi Rama’. U premtuan vizë amerikane por do qëndronin në Shqipëri deri atëherë. As sot e asaj dite nuk ndodhi. Ata nuk kanë asnjë pasaportë, vetëm leje qëndrimi. Shteti shqiptar i jep secilit çdo muaj 430 mijë lekë të vjetra, iu paguan qeratë në apartamente bashkëkohore dhe iu krijon lehtësira në arsimimin e fëmijëve.
Çfarë bëri shërbimi shtetëror shqiptar për rehabilitimin e ‘kriminelit’ Aldi Rama? Kur babai teksa Aldi ishte 8 vjeç e i vëllai 11, masakroi të ëmën e cila sot e asaj dite është e paralizuar? Kur Aldi shkoi të jetonte me gjyshërit dhe xhaxhain në Lezhë se prindërit u divorcuan kur mashkulli ra në burg e femra në shtratin e gjatë të lëngimit? A pyeti ky shtet e ai shtet mostër se ç’bëhet me këta fëmijë? Në çdo fjalë që më tha nusja e xhaxhait, lexohej e kuptohej se Aldi nuk ishte krimineli i lindur për të vrarë. “O Zot, ai djalë vetëm qeshte. Kurrë se pash të mërzitur e trishtuar.
Dhëmbët jashtë ai bir nëne. Atë e futi në këtë rrugë shoqëria. I thoja ‘këta shokë do të të hapin gropën’, dhe shikojeni sot, ata shokë e futën në dhé”, thoshte nusja e xhaxhait e dëshpëruar pa e ditur as se kur ia nxjerrin nga morgu trupin e të afërmit të saj, të cilin një natë më parë i kishte servirur ushqimin e tij e në mëngjes e kishte lënë me kokën mbi jastik duke fjetur mbështetur në jastikun poshtë të cilit ajo as se përfytytonte që mund të kishte një armë. Mëngjesin mbi tavolinë e kishte përgatitur si për të birin e saj që kur të zgjohej ta konsumonte, një mëngjes rutinë për nipin e burrit e jo për një kriminel.
Dramatikisht përfytyroj atë të shkretë që i vendosi armën në kokë vetes, e shkrepi dhe iku nga kjo botë e keqe mbase duke menduar se krimi që kishte kryer ishte më i fortë se ai, më i gjatë në ndërgjegje se koha e caktuar prej Zotit për t’a rikuperuar. Mundohem të hyj në mendjen e tij në atë çast kur i thoshte vetes “Dështova! Unë jam një plehër, drogaxhi, dhunues, por jo vrasës. Por unë vrava dhe askush nuk do ma llogarisë pendesën time, shpjegimin tim. U vra një efektiv policie, shteti është më i fortë se drejtësia. Më mirë një dështim i fundit se një jetë e tërë e dështuar”.
Duket sikur po hidhem nga dega në degë, por po flas për të njëjtën gjë. Aldi Rama është një prodhim kryekëput shqiptar. I asaj Shqipërie alla globaliste me brekët nëpër këmbë. Shtete e kombe të tilla do të ndërtohen vetëm nga orientimi patriotik i politikës. Gjermania si i dha fund regjimit? Duke u bashkuar! Amerila pse është një komb i madh? Sepse mbi të gjitha është interesi vetjak i saj!
Numërojini ato bamirësi që kemi bërë falë psiqikës së sëmurë të lederrnizmit globalist. Miliona euro. Sa janë shpenzuar në këtë shtet, këtë vit që po lëmë pas për viktimat e dhunës? Fëmijët e gratë e dhunuara? Edukimin e trajtimim e tyre psikosocial? Aldin e prodhoi kultura e qyteteve tona, lagjeve tona, rrugicave të tyre, fshatrave tonë… Kudo dhunë, kudo drogë, kudo seksizëm, kudo pedofili, kudo vrasje, kudo abuzim me tenderat e fondet, kudo korrupsion, kudo mitmarrje, kudo paaftësi, kudo armë, parcela droge, mafie, pornografi, nepotizëm…
Cili je ti Aldi Rama? Cili nga ne që të bëjmë gjyqin sot, e që jemi dëshmitarë që s’bëjmë asgjë në mos njëri prej atyre si ty? Kush të prodhoi ty Aldi kamikazi? Kush të braktisi? Kush ta mësoi drogën? Ku e blije? Si i siguroje paratë? Kush të bënte presion e të shantazhonte? Kush të dhunoi? Kush të diskriminoi për trungun tënd familjar? Kush të la pa shkollë? Kush të transformoi? Kush pyeti për ty mor qyqar?
Ah, të mos e kishe shkrepur pa i treguar këto! Ti bëje një alamet gjyqi vetes! Mbase në këtë gjyq do na ndëshkoje më rëndë ne se veten! /Publikuar në Facebook nga Fatjon GJINAJ, gazetar/