Vllaznia luan nesër me Skënderbeun në Korçë. Sfida e orës 16:45 është komentuar nga Thomas Brdaric, me duelin që vlen për javën e katërt të Superligës. Rrotacion te shkodranët, me Brdaric që nuk harron t’i japë një përgjigje Ilir Dajës për deklaratat e djeshme në lidhje me duelin e javë së shkuar mes tyre.
“Nuk duhet t’i lejojmë hapësirat që kërkojnë dhe jemi gati për këtë ndeshje të radhës me Skënderbeun. Mendoj se përballja me Partizanin ishte e fortë dhe ata kanë dëshirë të fitojnë me ne. Ishin mirë në mbrojtje, ne lamë hapësira në prapavijë dhe ata përfituan.
Na mungon Da Silva. Do luajë Diagne në pozicion tjetër, do bëjmë disa rrotacione.
Deklarata e Ilir Dajës se Vllaznia ishte inekzistente në fushë ndaj Partizanit? Secili duhet të shohë ekipin e vet, ne kemi pesë pikë dhe ata kanë dy.
Nëse arbitri nuk do kishte gabuar te goli për pozicionin jashtë loje, ne do kishim marrë tri pikë dhe do flisnim ndryshe. Ajo shkoi dhe tani të përqëndrohemi te Skënderbeu.
Jemi një grup në zhvillim dhe do kemi ulje-ngritjet tona. Synojmë që të bëhemi një ekip me vetbesim dhe të rrisim nivelin e lojës, që të bëhemi më të mirë”, tha Brdaric.