“N’Altitude Festival” ka hapur siparin e edicionit të parë, duke shpresuar e uruar që tradita të vazhdojë. Nga data 1- 3 tetor në Lëpushë të Kelmendit në Malësi të Madhe, është mundësia për tu argëtuar, shijuar e mësuar për të gjithë natyrëdashësit por edhe aventurierët.
Me 28 qershor u organizua eventi i parë promovues i N’Altitude Fest, ndërsa mbrëmjen e 1 tetorit 2021, ka nisur festa tre ditore. Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj, prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni, kryetari i Këshillit të Qarkut Hilmi Lakti dhe ministrja për Mbështetjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, ishin “kumbarët” e edicionit të parë.
N’Altitude Fest lindi si iniciativë GIZ Albania në mbështetje të promovimit dhe fuqizimit të biznesit vendas duke shfrytëzuar resurset dhe mundësitë që ofron natyra e mrekullueshme e Kelmendit, si një ftesë për të përjetuar ndjesitë e kësaj atmosfere 365 ditë të vitit.
Zona e Lëpushës ku zhvillohet kjo festë 3 ditore, ofron mundësinë për kryerjen e një sërë aktivitetesh sportivete të ndërthurura me traditën, kulinarinë dhe gjithë atraksionet turistike. Gjatë këtij festivali 3 ditor nuk do të mungojnë edhe muzika e lojëra të ndryshme.
GIZ nëpërmjet Qeverisë Gjermane, mbështet këtë festival për të promovuar Veriun e Shqipërisë jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në atë ndërkombëtar.