Zbutja e dënimit të Skënderbeut nga UEFA duke mbetur tashmë në pesë vite kalendarike për t’u shlyer ka ndezur atmosferën në Korçë. Në pragndeshjen me Vllazninë, trajneri Migen Memelli konfirmoi se ky lajm pozitiv është pritur mirë nga skuadra. Sipas kryepankinës korçare, kjo lë të hapur mundësinë e një amnistie në vazhdim, që do të ishte arritja më e madhe për korçarët pas dënimit fillestar me 10 vite.
Numri një i pankinës së Skënderbeut është ndalur te sfida me Vllazninë duke e konsideruar të vështirë përballë një kundërshtari që të imponon lojë. Memelli është i bindur se skuadra e tij do të bëjë gjithçka sot në 16:45 për të dalë me tri pikë nga fusha.
Memelli, tri ndeshje dhe vetëm dy pikë. I kënaqur me kaq apo prisnit më shumë?
I kënaqur nuk do të thoja, por pavarësisht këtyre dy pikëve që kemi marrë dhe me cilësinë e lojës që kemi treguar në ndeshjet me Tiranën dhe Egnatian, mendoj se mund të kishim edhe dy pikë më tepër sot. Gjithsesi, në këtë kampionat çdo ndeshje është jashtëzakonisht e vështirë, prandaj duke parë kalendarin, çdo pikë ka vlerë. Ne, megjithatë, jemi koshientë se gjithmonë hyjmë për të marrë tri pikët në fushë dhe besoj se deri në këtë moment e kemi treguar një gjë të tillë.
Ndaj Egnatias ekipi tregoi dëshirë për të luajtur. Do të vazhdohet me këtë ritëm?
Asnjë ndeshje nuk i ngjan tjetrës, pasi gjithçka varet nga kundërshtari. E parë në këtë këndvështrim, sot kemi një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë dhe një ndeshje që duhet ta vlerësojmë në maksimumin e kapaciteteve tona, si në anën fizike, ashtu edhe në atë psikologjike. Më pas do të shohim në anën taktike se çfarë skuadra mund të bëjë në vijim. Të gjithë djemtë duke pasur parasysh të gjithë komponentët e mësipërm janë gati të bëjnë maksimumin e tyre.
Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje kundër Vllaznisë?
Vijmë si të barabartë. Ekipin e kam në një formë optimale mjaft të mirë, si në përgatitje fizike dhe në anën psikologjike. Edhe pse jemi një ekip me një përbërje jashtëzakonisht të re, jam i bindur që mund të bëjmë maksimumin dhe besojmë se do të hyjmë një fushë për të qenë një skuadër e denjë, për t’iu kundërvënë kundërshtarit tonë që në këtë takim do të jetë Vllaznia.
Vlen kjo ndeshje si hakmarrje për finalen e humbur në kupë?
Nuk mund t’i quaj kështu ndeshjet, pasi një finale kupe nuk i ngjan një ndeshjeje kampionati. Gjithsesi, ne jemi koshientë për atë që kemi bërë vjet dhe çfarë kemi bërë me këtë kundërshtar. Futbolli i njeh humbjet, por ne duam që t’i minimizojmë gabimet në ndeshjen e radhës. Si në sulm, edhe në mbrojtje duhet të jemi perfekt sot.
Mungesa e fitores në tri javët e para i ngarkon negativisht lojtarët për sa i përket gjendjes emocionale?
Tani të flasim drejt, 70% e ndeshjeve në këto tri javë kampionat kanë dalë barazim dhe kjo tregon se skuadrat, jo se kanë pasiguri, por nuk duan të humbin. Dhe në disa raste kur e sheh se nuk mund të fitosh, më mirë është të mos humbësh. Duke pasur parasysh këto gjëra, në ndeshjen me Vllazninë na takon të bëjmë maksimumin dhe të mos shohim aspak rezultatin që do të dalë nga ky takim, pasi e rëndësishme është që të japim më të mirën. Nëse e bëjmë këtë, rezultati herët a vonë do të vijë.
Klubi ka konfirmuar lajmin e “Panorama Sport” se vitet e dënimit tashmë janë kalendarike, pra, mbeten edhe 5 për t’u shlyer. Si është pritur ky lajm në skuadër?
Kjo është një çështje administrative dhe nuk është se më takon mua të jap komente për të. Por, pa diskutim që është një lajm i mirë për klubin. Normalisht që një lajm i tillë përcillet vetëm pozitivisht në klub. Në dëshirën time, por edhe koshiencën, ky afat 5-vjeçar do të dëshiroja që të kalonte në një amnisti të mëtejshme që mund të jetë deri në dy vjet. Të paktën kështu shpresoj. /PanoramaSport/