E bardh si drita qi lmon shtatin e kredhun andrrimesh, kjoft njaja rreze dielli qi t’sheh s’pariherë, ty qi t’rrokin kraht e zgjimit e synin ta puth tamëltimi i zemrës qi i bahet prehën ardhjes tande n’ditën e dritun gazmimit.
Prej t’tana, t’amblave andje qi m’kanda me i mylmye me nji dëshir t’pashterrshme e t’pangishme, me t’cillat jam dashtunu me huj, prej ku lindun kam e rritun jam, prej Shkodrës, asht urimi i dalun me njaq za e zjarm, njaq delikates e përzemërsi:
– Nadja e mirë!
E shqiptoj çdo ditë lume e gjithher m’duket se jam tue e than s’pariherë kyt urat t’shenjt dritimi t’shpirtit.
Njaq e amël m’kumbon e me njaq mirësi m’ledh. Por s’shkon pa m’përmall e pëlot, ngase m’kujton t’shtrejtit e mi qi nuk jan ma, e tue mi rikthye ata përmes këtij bekimi, sikur don me m’than diçka qi s’mujten me ma than sa ishin këso jete.
E sa herë qi tham:
– Nadja e mirë! mue, diçka drite e mirësie m’përkund tue m’çu nëpër njato ledha e m’flatron dashnimit, qi munden gjithher me t’mbush me zjarm e përjetim.
Ne mujm me urdhnue zemrën me gatue ma t’andërrtat fjalë t’hyjshmtt shembuj t’dëshirimit, por kurrë s’kena me e çue njaq nalt yjësinë e asaj mirësie e mëkimi, siç e banen vullnet shpirti njata t’cillve siç u kena borxh amanetin, i detyrohena për shenjtërinë që na e lanë me pëshpëritje t’shpirtshme, fjalë qi sa her zgjedh me e gazmue zemrën, njaqherë ma shumë ata shndrisin.
Nadja e mirë!
S’ka me pas ndër ne bekim ma t’madh se ky. Ditë që merr ymër prej dritët e shndrit prej diellit tue na mbush me jetë e vërshim, s’ka pa njat za, pa njat shpërthim amëlcimi.
Edhe n’se s’kë nxan, njikyt urim me e than, provoje; nji herë, dy… e t’tretën ke me e pa se s’ka me pas gja qi ta heq prej gojet e ta shqit prej buzet. Ke me ndigjue se si vetë zani jot t’merr hopa e t’çon ku ti s’ke shkue kurr edhe pse njaq shum’ ke dëshirue.
Mëso, mundesh edhe ti me m’than, “Nadja e mirë!”
E ban vaki e shihna ndoj nadje, e tue m’than “Nadja e mirë!”, tash kam me kthye un’, “Mir’ se t’pruni nadja”.
Nuk due më t’than njitash se ç’ka t’ban me ndi njat dekik, por njajo qi mundem me t’besue si fjalë e lanun peng mirësisë, asht, se ke me provu ditën ma t’lume qi ka mbajt n’prehën andrrën tande.
N’se don, mundesh edhe ti me m’than, “Nadja e mirë!”
(FOTO T’BAME PARA PAK VITESH) /Publikuar në Facebook/