Para disa ditësh, dikush më mësoi se Republika e Zgërlaqur e Shqipërisë na qenka zgjedhur nga njëri prej forumeve më në zë të Bashkimit Europian si “vendi i rinisë për vitin 2022”. Një ditë vonë, një kanal televiziv më mësoi se Franca, Gjermania dhe Italia paskan kërkuar që për qytetarët e Republikës së Shkalafendur të Shqipërisë të rivendoset regjimi i vizave.
Lajmi i parë m’u duk krejt cinik, sepse si është e mundur që një vend aq mjeran sa yni, i cili ka vite që po zbrazet thuajse çdo ditë nga rinia e tij, ta meritojë “nderin” e të shpallurit “vendi i rinisë për vitin 2022”! Ah, po, ai mund të shpallej “vendi i pleqërisë për vitin 2022” dhe për këtë do të mjaftonte që të paktën një përfaqësues i forumit në fjalë të Bashkimit Europian të vinte në Republikën e Shkalafitur të Shqipërisë e të vizitonte fshatrat e populluara vetëm nga pleq; do të mjaftonte që ai të vinte e të vizitonte disa qytete të vegjël të kësaj republike për të parë që të rinjtë e atjeshëm numërohen me gishtat e dorë, rrallëherë edhe me të këmbës, aq të padukshëm janë; do të mjaftonte që ai të vinte edhe në kryeqytetin shqiptar për të konstatuar që papunësia prek rëndë edhe grupmoshat rinore, që jo pak nga ato të reja e ata të rinj, të cilët kanë kryer studimet e larta, bëjnë punë të pakualifikuara si, për shembull, kamerierë, banakierë, shitës, shpërndarës lulesh, picash etj., etj., në pritje të rastit më të parë për t’ia mbathur jashtë shtetit shqiptar shterpë e të paaftë për t’u dhënë atyre mundësinë të punojnë e të jetojnë në tokën e Arbërit me qëllim, ndër të tjera, që ta bëjnë atë të denjë për t’u integruar në Bashkimin Europian.
Oh, sigurisht, në Tiranën e betonuar dhe të kullëzuar përbindshëm, autoritetet vendore mund t’i mburren përfaqësuesit në fjalë me rruginat e biçikletave të pajisura pranë çdo semafori me ca biçim“tokmakësh”, tek të cilët çiklistët të mund të mbështesin njërën këmbë në pritje që të dalë drita jeshile; ato mund t’i mburren atij edhe me lokalet, sidomos me diskotekat ku të rinjtë mund të argëtohen lirshëm, paçka se mund të përdorin herë pas here pak “bar” apo “miell”. Oh, sigurisht, autoritetet vendore mund t’i flasin atij për të drejtat që gëzojnë të rejat e të rinjtë e komunitetit LGBTQIA+, madje mund t’i shpjegojnë atij me krenari edhe kuptimin në gjuhën shqipe e tri shkronjave të fundit të siglës së sapopërmendur, duke shtuar se shenja + është ogur i mirë për shtimin e shkronjave të tjera të alfabetit, mundësisht deri tek ZH-ja. Megjithatë, dikush – ndonjë skeptik ndoshta – mund të hamendësojë se këto mburrje të autoriteteve vendore të Tiranës duhet të kenë ndikuar sadopak tek forumi i lartpërmendur i Bashkimit Europian që Republika e Shkalaviqur e Shqipërisë të zgjidhet si “vendi i rinisë për vitin 2022”.
Nga ana tjetër, lajmi i dytë, pra kërkesa zyrtare e Francës, e Gjermanisë dhe e Italisë që për shtetasit shqiptarë të rivendoset regjimi i vizave, i kundërvihet haptas të parit, sepse, me shumë gjasë, në këto vende pikërisht, ka aq azilantë shqiptarë të moshave të reja, saqë i bie, të paktën logjikisht, që në Republikën e Shkalaveshur të Shqipërisë të rinjtë nuk e kanë mendjen të rrinë e të punojnë në atdheun e tyre, por të largohen prej tij një orë e më parë, me çdo kusht, mënyrë dhe mjet për ta kthyer kështu vendlindjen e tyre në një azil për plaka e pleq!
Sidoqoftë, çfarëdoqoftë dhe e kujtdoqoftë, le t’u kujtojmë lexueseve dhe lexuesve në moshë të re Migjenin, këtë poet që vdiq kur ishte njëzet e shtatë vjeç, pra ende i ri, i cili u jepte një këshillë të rejave dhe të rinjve falë vargut të famshëm “Qeshu rini, qeshu, bota është e jote!”, varg ky që i shkon për shtat e për bukuri lajmit të parë, por aspak lajmit të dytë, aspak edhe realitetit farmak e pelin të hidhur të rinisë së sotme shqiptare, prandaj jam i sigurt që po të ishte sot gjallë, Migjeni do ta ndryshonte me dhimbje vargun e tij si vijon: “Qaj rini, qaj, bota s’është e jote!”.
Së fundi, në këto rrethana, vendimi për zgjedhjen e Republikës së Zgërlaqur të Shqipërisë si vendi i rinisë për vitin 2022 mund të jetë fryti i një marrëveshjeje të fshehtë midis forumit të lartpërmendur të BE-së dhe pensionistëve shqiptarë, të cilët, viktima të dashurisë së tyre atërore dhe të mallit që po i djeg për bijat e bijtë e mërguar, ushqejnë iluzionin se këta, me të mësuar se atdheu i tyre është pagëzuar botërisht nga BE-ja me emrin “vendi i rinisë”, do t’u kthehen në shtëpi brenda vitit 2022! Po, po, mos u habisni, o lexuese e lexues të këtyre radhëve, brenda vitit 2022, madje me të kapërcyer pragun e shtëpisë, ata do t’u bëjnë këtë urim prindërve të tyre pensionistë: “U rinofshi edhe ju, prindër të dashur!” (veçse duke i ndarë qartas nga njëra-tjetra me një pauzë dy fjalët e para ‘U” dhe “rinofshi”!). /Nga Edmond TUPJA/