Në këtë 5 vjetor të largimit dhe ndarjes nga jeta akademike, Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, përkujtoi Gilman Bakallin. Miq, kolegë, e studentë ndanë kujtime, rrëfime personale dhe shpërfaqën dimensionet intelektuale e humane
“Betejën më të madhe në këtë jetë e ke me veten, Gilman!” Kështu i përgjigjej pyetjes për moton e jetës, në një revistë shqiptare. Ishte shkurti i 2015-ës, një vit e gjysmë para se të largohej në mënyrë të beftë nga jeta. Edhe pse 49 vite të jetuara, asnjëherë të mjaftueshme për njeriun, por mjaftueshëm për të, për t’u bërë i “pavdekshëm” tek të gjithë ata që patin fatin ta njohin.
Në këtë 5 vjetor të largimit dhe ndarjes nga jeta akademike, Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, përkujtoi Gilman Bakallin mes miqsh, kolegësh, studentësh, të cilët ndanë kujtime, rrëfime personale dhe shpërfaqën dimensionet intelektuale e humane të një personaliteti të tillë.
Gilman Bakalli pati një kontribut 15 vjeçar në mësimdhënie, në fushën e letërsisë, në përkthim, Komunikimin Ndërkulturor dhe Teoritë e Komunikimit. Ai u diplomua në Gjermanistikë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ndërsa vitet e fundit u angazhua si pedagog në Universitetin Europian të Tiranës. Një karrierë e gjatë e ndarë mes jetës akademike dhe politike, duke mbajtur për pak kohë edhe pozicionin e deputetit.
Nuk munguan kurrë shkrimet në shtypin e përditshëm, duke rrahur tematika dhe çështje të ndryshme sociale. Duke mos preferuar të mbetej edhe si autor, shkrimet e tij u përmblodhën pas vdekjes, në dy botime “Mendimi kritik i një qytetari” dhe “Alfabeti i tranzicionit”, botim i UET Press.
Belina Budini: Mbetet i pazëvendësueshëm në auditorët tanë
Na mungon si koleg, studentëve si lektor dhe pedagog. Jemi në momentet ku po bëjmë parashikimet për vitin e ri akademik dhe një figurë si Gilmani mbetet e pazëvendësueshme. Jemi ende në kërkim të rekrutimit, në kuptimin e vënies në dispozicion të studentëve të një figure me kapacitetin, kreativititetin e Gilmanit. E kemi shumë të vështirë. E them nga ana ime këtë, në kuadër të përpjekjeve që bëj për të afruar njerëz në departament, që t’u flasin edhe studentëve, por t’i flasin edhe publikut, me publikime, ese, shkrime të ndryshme, apo prezencë mediatike, sikurse e kishte Gilmani. Mbetet i pazëvendësueshëm.
Kjo është një arsye më shumë për t’ia njohur kontributet, për ta kujtuar përtej përmasës njerëzore dhe gjithë dimensioneve të tjera sociale që ne kemi pasur mundësinë t’i ndajmë këtu edhe në vitet e mëparshme, kur kemi bërë përkujtimoret e rastit, ku kemi pasur të pranishëm edhe familjarë.
Unë e mbaj një publikim në zyrë prej disa muajsh, që më inspiroi në fakt për t’i vënë edhe emërtimin këtij eventi “Mendimi kritik i një qytetari”. Më ka vlejtur, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për t’i kujtuar edhe ato përmasa prej mendimtari që kishte Gilmani, që fatmirësisht i kemi të ruajtura nëpërmjet këtij vëllimi dhe me një narraciion me tekst jashtëzakonisht të kujdesshëm që duket se nuk është i prerë për të qenë publikim ditor apo në gazeta të përditshme. Duket si një libër, pavarësisht se Gilmani për nga natyra nuk ishte i fokusuar te botimet shkencore rigoroze, sikurse i do nevoja shpesh herë në këto ambientet tona, as për t’i mbledhur ato që kishte. Në një farë mënyrë janë të tjerët ata që e kanë bërë këtë përpjekje për të nxjerrë botimin e tij në këtë formë që vjen e lidhur, pasi ka qenë aty, por e shpërndarë.
Është një libër që e kemi përfshirë në kurrikulat tona. Sigurisht që ka ende për të mbledhur dhe për t’u kujdesur për trashëgiminë e tij. Në fakt ishim në mëdyshje për ta quajtur mendimi kritik apo trashëgimia dhe zgjodhëm të parën, pasi Gilmanit nuk i pëlqenin emërtimet pompoze apo pretencioze të referimit dhe ndoshta do t’i dukej e tepruar. Ashtu siç kishte edhe një lloj alergjie ndaj hierarkisë institucionale, kishte një marrëdhënie horizontale.
Irena Myzeqari: Edukues në integritetin, profesionin dhe mendimin e tij kritik
Kam qenë dëshmitare e mënyrës së tij të krijuarit. E para gjë ishte rëndësia që i jepte shkencës, por pa u fokusuar shumë te titujt. Ka qenë udhëheqësi im doktoral për katër vite e gjysmë dhe gjithmonë kur flisnim për çështjen e nxitimit për të marrë gradat, ai më thoshte: “Jepi kohë vetes që të rritesh, sepse është e vetmja mënyrë që të kultivosh mendimin kritik dhe t’iu marrësh maksimumin të gjitha këtyre viteve, që të japin mundësi të ndalosh, sepse më tutje do të kesh shumë më pak kohë për të menduar”.
Më ka mësuar teknikën e punës. Më ka mësuar rëndësinë e komunikimit si shkencë, por edhe në jetën e përditshme. Ajo çka mbaj mend prej tij, ka qenë një intervistë që ka dhënë në “Ora News”, dhe ajo është një lloj trashëgimie, të cilën unë e përmend gjithmonë. Ai i jepte një rëndësi të veçantë trupit, si shtëpia ku shpirti jeton dhe thoshte: “Banesën fizike që e kemi në këtë tokë duhet ta mirëmbajmë, pasi na shërben edhe si një lloj kujtese që nuk mund të dalim përtej këtyre kufijve që trupi vendos”. Ai ishte edukues në integritetin e tij, ishte edukues në profesionin e tij, ishte edukues në mendimin e tij kritik. Mendoj se këto tre gjëra kanë qenë piketat që unë i mbaj me vete, fillimisht si njeri dhe më pas si profesioniste në të ardhmen.
Ori Kuçi: Kishte kurajën për të qenë i vërtetë dhe vetvetja
Për Gilmanin nuk dua të flas në kontekstin e pedagogut dhe të profesorit, pasi jam e sigurt që ju keni eksperienca më të brendshme me të, sesa dua të flas për një shok, i cili edhe duke u larguar nga jeta, la pas optimizmin e tij, se “jeta është shumë e bukur pasi nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër”. Gilmani ka qenë një nga njerëzit, që sa herë takoheshim, thosha: “E mirë se s’jam vetëm unë e çmendur, je edhe ti”. Te Gilmani kam dashuruar pafund kurajën për të qenë një njeri i vërtetë, pasi mendoj që të njohësh veten është lufta primare. E gjithë përgatitja dhe ecuria që bëjmë me studime akademike, janë pjesë dhe ndihmesë për të njohur veten. Nuk më mungon Gilmani, përveçse fizikisht, pasi kam aq shumë kujtime, mendime dhe ndihmesa të tij për të përgatitur veten dhe për të ushqyer atë gjënë që unë jam.
Një nga gjërat e tjera që kam dashuruar tek ai njeri, ishe gjuha shqipe. Ishte shumë i kujdesshëm që të mos përdorte huazime dhe kjo dallohet shumë mirë edhe te libri që ju keni përmbledhur. Nëse ti nuk respekton shtëpinë tënde, trupin, nuk respekton qenien tënde, të qenit shqiptar, patjetër që nuk mund të jesh një njeri i plotë. Është një humbje për shoqërinë tonë mungesa e kurajës për të treguar të vërtetën, për të dalë jashtë këtyre kornizave, mungesa e njerëzve për të përballuar veten dhe problemet reale që ne kemi. Ka qenë një njeri që nuk e konceptonte dot këtë hierarkinë fals, prandaj edhe një nga vlerat që ka mbetur dhe është skalitur thellë në mendjet dhe shpirtrat tanë, është kuraja e tij për të qenë vetja e vet.
Romeo Gurakuqi: Kultura e tij e komunikimit na ndihmoi të ecim para
Vij pas shumë kohësh në UET dhe është kënaqësi e veçantë për mua. Nga ana tjetër është edhe nderim të marr pjesë në një aktivitet për një prej miqve të mi të hershëm dhe koleg. Para UET-it unë kam punuar me Gilmanin në Dukagjin, kur ai ka qenë mësues. Ishte 21 vjeç. Në vitin e parë të UET-it ai ishte deputet. Në kohën që UET ishte në rrugën e ngritjes dhe ecjes së pandaluar, ai ishte pedagog i jashtëm dhe ndjekës i përditshëm i procesit të ngritjes së një institucioni. Na duket ende e pabesueshme që ai nuk është më këtu. Kemi ndenjur dhe diskutuar dhe karakteristika më thelbësore e tij ishte të qenit i drejtpërdrejtë. Atë që kishte për të thënë, në kuptimin e mosrënies dakord për pikëpamje, ai ta thoshte drejtpërdrejtë. Komunikimi i tij, mosrënia dakord, na ka ndihmuar të gjithëve të ecim përpara, të rrahim mendimet, gjë që nuk e ka pasur asnjë institucion tjetër dhe asnjë kolektiv tjetër. Të paktën, nga përvoja ime, nuk e kam hasur diku tjetër. Gilmani nuk ka qenë njeriu i kornizave. Që në momentet e para ka qenë indipendent në jetën akademike, ashtu si edhe në politikë dhe qëndrimet e tij janë shprehur me pjesëmarrjen e përditshme në shtyp.
Çfarë ka përfaqësuar? Dua të theksoj se ka qenë një përfaqësues i denjë i qytetarisë shkodrane në Tiranë, në periudhën e tranzicionit, ajo çfarë ai dhe shumë të tjerë nuk arritën ta bëjnë dot në qytetin tonë, për shkak të degradimit të shumë elementëve dhe shumë. Ai ka arritur t’i shfaqë në mënyrë të qëndrueshme. Unë mund ta them, se për hir të së vërtetës, ka qenë një shembull i qëndrueshmërisë, i ruajtjes së standardit të qëndrimit qytetar, standardit të qëndrimit intelektual dhe i të vërtetës. E vërteta është kriteri që ai i është përmbajtur në mbajtjen e qëndrimeve që shpeshherë nuk iu ka pëlqyer një shoqëri si tona, e mësuar të përkulet dhe të jetë oportuniste.
Ish-studentja e UET, Eda Kallçi: Me fat që e kam pasur pedagog
Është mburrje, që kam pasur fatin që të kem pedagog Gilmanin, i cili ka lënë kaq shumë gjurmë te studentët, pasi jam e sigurt që nuk jam e vetmja. Me mënyrën sesi ai bashkëbisedonte me ne, me energjinë që ai përcillte, të bënte që në auditor të ndjeheshe si mik që shkëmbeje ide, dhe jo që riprodhoje librin. Unë shkruaj shpesh dhe përpiqem ta mbaj gjallë emrin e tij, por është hera e parë që flas për të. Mendoj që njerëz si ai nuk i kthehen më jetës akademike.
Ermir Nika: Intelektual i mirëfilltë, me tjetër dimension politik
Unë e kam njohur Gilmanin kur isha në Ministri dhe ai ishte deputet. Kemi pasur komunikimin shkresor ndonjëherë. Ishte njeri me një nerv tjetër në Parlament, dhe me thënë të drejtën në fillim e mendova si ekstremist, sepse ishte shumë i papërmbajtur. Por në fakt ishte krejt e kundërta, ishte shumë i ekuilibruar, njeri me një vizion shumë të qartë, shumë qytetar dhe me mendje të hapur. Donte të sillte risi në legjislacionin shqiptar, veçanërisht atë të kulturës. U bë një mbështetje e dukshme. Dalëngadalë e shikoja sesi dilte nga formacioni i portës. Ishte një intelektual i mirëfilltë. Në atë zvogëlim të intelektit, në atë rrudhje të trurit të Parlamentit, Gilamni ishte një dimension tjetër, që nuk e mbante më ajo sallë e ato komisione partiake. Pastaj e kam njohur nga një aktivitet në UET-së dhe nga shkrimet. Padyshim është një intelektual i spikatur, megjithëse ka një kulturë universale që e shpalos në shkrimet e tij, unë them që i ka mbetur ajo heraldika e Shkodrës, e gdhendur në të gjithë dukshmërinë e tij.
Klementin Mile: Duhen studime serioze për trashëgiminë e tij
Unë në fakt nuk do të doja që të flisja aq shumë për kujtimet si mik, pasi janë shumë. Mbresat, gjurmët që ka lënë edhe në formimin tim janë padyshim aty. Është koha që ne të flasim për një lloj trashëgimie intelektuale që na ka lënë dhe të bëjmë disa studime serioze edhe me shkrim, duke mos u mjaftuar me aktivitete si ky ku ndodhemi. Gjykoj që ka nevojë për disa studime më sistematike kritike për mendimin kritik dhe një nga ato instrumente studimi që ia vlen është sesi i qasej objekteve të veta të studimit Gilmani. Prej bisedave dhe kujtimeve me të, unë kam një çelës, ku ai më ka thënë: “Ajo çfarë përpiqem të bëj unë është kjo: mendo një zyrtar, shtetar që duket perfekt, shfaqet si duhet të jetë. Ajo që bëj unë është se kap kravatën e tij dhe i heq një fije dhe shoh çfarë bën ky njeri, a do të sikletoset nga kjo, a do të ndryshojë?”.
Unë kam vrarë mendjen për këtë gjë. Kam lexuar më vonë një filozof gjerman, që edhe Gilmani e preferonte mjaft, Peter Sloterdijk. Ai thotë diku që: “Një nga testet më të mira për të kuptuar sesa e vërtetë është një gjë, që paraqitet si e tillë, është që ta bësh qesharake, ta ironizosh, ta vësh në siklet të vërtetën dhe të shohësh sesa mund t’i mbajë. Nëse është e vërtetë ajo rigjenerohet, i mban të gjitha këto dhe vazhdon na bind ende. Nëse nuk i mban dot këto, dëshmon se nuk ka qenë e vërtetë ndonjëherë”. Edhe Gilmani këtë bënte, duke kaluar një temë në një tjetër, na tregonte se cilat janë ato të pavërtetat me të cilat e kemi mbushur realitetin tonë. Shpesh nuk i qëndronin dot satirës ku i vendoste Gilmani. Edhe në librin “Alfabeti i tranzicionit”, ai kalon në çështje që kanë ndikuar shumë, në terma, semantikë dhe na tregon sesa vite kemi ngritur dhe sa të trilluar apo hipokrite e kemi këtë që kemi krijuar.
Brikena Smajli: Ruajti trashëgiminë e të atit, politika nuk e shndërroi
Po e hedh vështrimin në vitin 1953, kur një grup gjimnazistësh, bashkë me profesorët e tyre të gjimnazit të Shkodrës, organizohen, ku pjesë ka qenë edhe i ati i Gilmanit, ku pati arrestime. I kam referencat e duhura, pasi të njëjtës natë është arrestuar edhe im atë. Kjo është lidhja që kam pasur me Gilmanin që herët, nëpërmjet të atit, për aq kohë sa familjet tona kanë pasur mundësi të vinin për vizita. Unë e kam njohur të atin e Gilmanit si një njeri fisnik dhe për mua mbetet e veçantë mënyra e të folurit. Atë e kam gjetur edhe te Gilmani, i cili ndoshta ishte më i rrëmbyeshëm në komunikim, por prapëseprapë, fisnikërinë e të menduarit thellë e transmetonte edhe gjatë fushatës për t’u zgjedhur deputet, pasi kam qenë pjesë e grupit.
Kam barazuar ato kujtime të fëmijërisë me të nderuarin Adem Bakalli, kulturën që transmetonte ai edhe në ato komunikimet tona familjare, në librat që ka shkruar, pasi edhe i ati i Gilmanit shkruante. Në librat e tij, dallohet thellësia e formimit, trashëgimia e Shkodrës, të cilat në rritjen time jam përpjekur ta kërkoj. Te Gilmani kam gjetur këtë trashëgimi dhe jam gëzuar në momentin që e kam takuar. Edhe pastaj e kam ndjekur, e kam parë që një person ka një lloj formimi, personaliteti, që nuk e shndërron, sepse politika të shndërron. Nuk arrita të jem kolege me Gilmanin, sepse kur mbërrita, po atë javë, ai u nda nga jeta. Kisha dëshirë të isha me të dhe mendoja se çfarë bashkëpunimesh mund ë bëj me një person të tillë.
Ervis Iljazaj: Ishte një qenie morale universale, një humanist i plotë
Kur flitet për Gilmanin bëhet lidhja e tij me Shkodrën. Për të qenë i sinqertë, Gilmani në fakt nuk e pëlqente këtë gjë sepse nuk i thoshin gjë identitete lokale apo territorial. Gilmani ishte një qenie morale universale, ishte një humanist i plotë. Forca e tij e mendimit qëndron në lirinë për të zgjedhur vetë vlerat, mendimet, pavarësisht se ku jeton, nga ambienti apo vlerat që të rrethojnë.
Na mungon sot për këtë gjë. Ne sot jetojmë në zinxhirë të shoqërisë të ndërtuara, të importuara, ndërsa ai i thyente, i bënte qesharake këto. E kategorizoi si një humanist që besonte te racionaliteti njerëzor, besonte te vlerat e njeriut, që ai mund t’i zgjidhte vetë. Në fund të fundit humanizmi ky është, që beson te njeriu. Ai ishte gjithmonë në kërkim të parimeve universale të njeriut. Kishte natyrë sokratike. Nuk i linte mendimet e veta të shkruara, sepse sipas mendimit tim, edhe për ato që thoshte vetë, mendonte se nuk ishte e vërteta shteruese. Po t’i linte të shkruara mendonte sikur ua impononte të tjerëve mendimin e tij.
Gilmani futet në 3- 4 publicistët më të mirë në Shqipëri dhe nuk e ekzagjeroj fare kur e them këtë gjë. Ia kam thënë edhe kur ishte mes nesh. Kur ka shkruar artikujt që janë përmbledhur në atë libër, kam pasur fatin ta kemi ndarë bashkë zyrën për dy vjet, dhe i kemi diskutuar ato çështje. Një nga personat e paktë që kam mësuar në fushat tona ka qenë Gilmani. Më ka dhënë kurajën dhe teknikën që të shkruaja editoriale në gazetë. Më zhbllokoi psikologjikisht me ato mënyrat e veta. Njerëz të tillë publicistikës shqiptare nuk i vijnë shpesh. Jemi një realitet i vogël dhe këtu nuk janë pafund njerëzit me të cilët mund të debatosh. Gilmani të bënte të debatoje me të. Ne duhet ta mbajmë gjallë modelin e tij njerëzor dhe intelektual. /Gazeta Liberale/