Lufta e brendshme në PD mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, e cila po zhvillohet në sfondin e vlerave perëndimore, ka marrë sot një kthesë të papritur me deklaratat e ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, i cili ka qenë në një linjë krejt të kundërt nga ajo e koleges së tij amerikane Yuri Kim.
Deri më tani mbështetësit e Bashës që nuk pranojnë mbledhjen e Kuvendi Kombëtar dhe përligjin përjashtimin personal të Berishës duke e mbështetur këtë qëndrim në statutin e partisë së tyre i cili bazohet në vlerat euro atlantike.
Këtë argument e ka ushqyer edhe një deklaratë e ambasadores amerikane që e kërcënoi Bashën para selisë së tij, se PD-ja nuk mund të hante bar për të mbrojtur interesat e një njeriu të vetëm. Kjo deklaratë dhe disa ultimatume që Basha pretendon se i ka dëgjuar vetëm vetë, e kanë bërë atë që ta akuzojë Berishën se do ta shndërrojë partinë në një bunker për tu mbrojtur kundër Amerikës.
Por, nëse mbështetësit e tij i referohen vlerave euro-atlantike sot është parë një sinjal se jo gjithë diplomatët perëndimorë mendojnë njësoj. I pyetur drejtpërdrejt nga gazetarët gjatë një vizite në Korçë, Soreca nuk e kushtëzoi bashkëpunimin e BE me PD-në në funksion të fitores apo përjashtimit të Berishës.
‘Ne punojmë me të gjithë’ tha ai pasi u pyet se cili do të jetë qëndrimi nëse fiton Berisha. ‘Ne punojmë me të gjitha forcat politike, ne kemi bashkëpunuar me PD edhe kur ajo ishte jashtë Kuvendit, dhe ne do të ndjekim zhvillimet brenda partisë, asgjë nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat politike,’ tha Soreca.
Nuk dihet nëse kjo është një vijë sjellje e paramenduar, apo një reagim i momentit që vendos një vijë të qartë ndarëse mes qasjes së SHBA-së dhe asaj të Europës.
Por, një gjë tashmë është fakt. Shumë nga diplomatët europianë në Tiranë janë të habitur nga ndërhyrja brutale e rrugës së Elbasanit në çështjet e brendshme të një partie dhe për mënyrën se si por përdoret Amerika për të shuar edhe një fije të vogël demokracie që ka mbetur në një nga partitë kryesore në vend. /Lapsi.al/