Sot Shtetet e Bashkuara kishin lëshaur pasaportën e parë ku nuk përcaktohej gjinia e mbajtësit. Në vend të “femër” apo “mashkull”, ishte shënuar “X”. Në vijimësi, mund të shënohet kështu apo “të tjera”. Tingëllon e çuditshme por në epokën në të cilën jetojmë, e drejta individuale po arrin nivele që nu ishin menduar asnjëherë. Ndër to, edhe ajo të vetëshprehemi nëse ndjehemi normalisht femra apo meshkuj dhe po kaq normalisht, asnjërën e as tjetrën.
Për ne shqiptarët sidomos, shumë gjëra na duken të çuditshme, jashtë natyrales, madje në kundërshtim me Zotin. Flas për shumicën, ose të paktën atë shumicë që testojmë direkt ose indirekt. E nëse jemi deri diku të ftohtë në gjininë që përcakton ose jo një individ në pasaportën e tij apo edhe publikisht në media e rrjete sociale, nuk jemi po kaq kur fjala është për familjen, familjen tradicionale. Atë familje që nis krijohet nga një burrë e një grua, më pas vijnë fëmijët, nipat e mbesat e në fund fare…vdekja si për çdo qënie njerëzore. Por gjithmonë, ka ekzistuar garancia e përjetësisë së racës njerëzore përmes ripërtëritjes, shtimit e shumimit.
Sot kjo botë i ka tejkaluar 7 miliardët. Janë jo të paktë ata që mendojmë se jemi “pak si shumë” mbi këtë planet. Ka nga ata madje që po flasin për fillim të mbarimit të resurseve të Tokës sonë për brezat që do të vijnë. Po tu shtosh këtyre ngrohjen globale, efektin serrë, shkrirjen e akullnajave, rritjen e nivelit të oqeaneve, rrezikon të biesh në depresion. Jo për vete, por për brezat që do të vijnë e mbase do të jenë pasardhësit e tu.
Them mbase, sepse po punohet intensivisht, edhe në Shqipëri, për pakësimin e popullsisë. Nuk po flas këtu për emigracionin me gati 1/3 e popullsisë së larguar në 10- 12 vite. Nuk po flas as për pandemitë, ato që kaluam, këtë që po përballemi apo të tjera të mundshme. Skema duket se është pasuruar edhe me këtë “prind 1” dhe “prind 2”.
Sot mund të na duket si e parrezikshme, si lajthitje e momentit dhe si një stuhi në gotë uji. Por në fakt, aftësia është të shohësh pak më larg, minimalisht më larg se hunda jote. Zëvendësimi i “prind 1” dhe “prind 2” me emërtesat më të shtrenjta në botë për njerëzorët “mami” dhe “babi”, synojnë goditjen e familjes, të asaj familje tradicionale mijëravjeçare dhe që përgjatë po kaq shekujve, ka garantuar vijimësinë e racës njerëzore.
Nëse bashkëjetojnë apo edhe martohen dy burra, ku njëri luan gruan e tjetri burrin, është zgjedhja e tyre. Edhe nëse dy gra zgjedhin të njëjtën lojë, sërish është vullneti i tyre. Problemi i vertetë lind kur shteti ndërhyn në favor të kësaj loje. Aq më tepër kur i jep të drejta, privilegje dhe bonuse direkte apo indirekte kësaj loje. Ligjërimi, pra njohja, mbrojtja dhe privilegjimi me ligj, hedhin bazat e asaj që druajnë të gjithë ata që mbrojnë familjen tradicionale njerëzore. E sidomos kur ligji arrin deri aty sa nuk të lejon të shprehësh një opinion të ndryshëm, të kundërt me këtë kategori, atëherë nuk ka nevojë për shumë komente. Thjesht po e stimulon si një model për tu ndjekur, si trendi apo edhe moderne.
Në këtë linjë ecin edhe simbolet që i promovojnë këto lojëra, simbole nga bota e artit, muzikës, sportit e përtej. E natyrisht, me gjithë këtë trysni, loja zgjerohet, edhe në emër të diçkaje moderne. Përballë kësaj trysnie të gjithanshme, ne jo modernëve, na imponohet heshtja. Edhe kur themi se familja tradicionale është dhe duhet të vazhdojë të jetë e mbrojtur me ligj, e pacënueshme, na thonë se jemi ofensivë ndaj të tjerëve. Jo vetëm kaq, edhe një copë ligj mijëravjeçar, kërkojnë ta na imponojnë të modifikojmë apo bashkëndajmë me të tjerët. Që të mos shkelim të drejtat e tyre, “mami” dhe “babi”, duhet të zëvendësohen me “prind 1” dhe “prind 2”.
Ata që e mbajnë mend, dikur çdo detaj, edhe sado i thjeshtë, ishte shumë i rëndësishëm nëse pajiseshe me pasaportë. Nëpër dogana, verifikoheshin vizualisht disa të dhëna si ngjyra e flokëve, e syve, gjinia. Në jo pak raste, edhe një mjekër e parruar teksa në foton e pasaportës ishe qose, mund të krijonte probleme. Por sot, teknologjia ka avancuar, kemi bometrinë, e cila duket se është krijuar edhe për të qenë pjesë e kësaj loje.
Vetëdeklarimi i gjinisë, femës, mashkull apo “X”, ngjan deri diku me vetëshpalljen i pafajshëm para një gjykate në nisje të gjykimit. E në fund, kjo e fundit ka detyrën të përcaktojë nëse je ose jo fajtor. Sepse nuk ka asnjë gjykatë që thotë se edhe je edhe nuk je fajtor. Por në rastin tonë, kjo gjykatë nuk ekziston, të paktën tani për tani. E kështu, ai që përfundon në burg si fajtor, duhet të zgjedh një burg për burra, një burg për gra dhe një burg…për “X”, ata që nuk dinë të dallojne tek vetja e tyre çfarë janë.
Sot, kjo loja sapo ka nisur. Uroj të mos e arrijmë kurrë atë ditë, por mbase pas disa dekadave apo shekujve, ne të familjes tradicionale, mund të gjendemi në pakicë dhe nuk e di nëse do të na rezervohet ky trajtim që ne po u rezervojmë sot të tjerëve. Deri atëherë, me shumë gjasa “X” do të jetë në mazhorancë dhe me shumë gjasa, njerëzorët do të jenë shumë më pak se sot. Për arsyet që përciptas dhe modestisht, u përpoqa ti shpjegoj me aq sa di dhe mundem, duke qenë i kujdesshëm të mos diskriminoj të tjerët. /Nga Blerti DELIJA/