Mëngjesin e sotëm jemi zgjuar me një lajm aspak të mirë. Është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare ish- futbollisti i Vllaznisë Nikoll Gjergji. Ai kishte kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk ka mundur t’i rezistojë dot më.
Si rrjedhojë u ka dhënë lamtumirën familjarëve të tij, shokëve e miqve të futbollit dhe jo vetëm. Me këtë rast edhe gazeta “Shkodra Sport” merr pjesë në hidhërimin e tyre.
Karriera e tij ka qenë jo shumë e gjatë por brenda ka patur shumë mbresa dhe kujtime. Nikoll Gjergji ka qenë një polisportist. E ka nisur me futbollin, ka vazhduar me volejbollin dhe atletikën, për t’u sistemuar përfundimisht tek futbolli.
E ka nisur futbollin në vitin 1956 kur iu bashkova ekipit të të rinjve të Vllaznisë (atëherë nuk kishte paratërinj) që drejtohej nga trajnerët e njohur Muhamet Dibra dhe Xhelal Juka. Për të vazhduar më pas me trajnerin Rifat Rusi.
Nderkohe me volejbollin, ka arritur të shpallet edhe kampion i Shqipërisë me të rinjtë në vitin 1958 në Tiranë. Ekipi në atë periudhë drejtohej nga trajneri i madh Tonin Bianku dhe në përbërje të tij ishin perveç Nikoll Gjergjit edhe kapiteni Xhelal Haxhi, Viktor Jubani, Ndok Pistulli, Nikolin Peja, Frederik Çapaliku, një tjetër futbollist i njohur ky që është marrë edhe me volejboll, Bashkim Rraboshta, Franko Karajfili, Eduard Perjaku e Abdullah Hebovija.
Interesant ka qenë fakti se vetëm pak ditë pasi u shpall kampion me volejbollin, në Shkodër u zhvillua kampionati kombëtar i atletikës për të rinj dhe Nikolla në garën e 110 metrave me pengesë arriti të zërë vendin e parë dhe të shpallet kampion duke lënë pas një emër të njohur të këtij sporti- Gjon Camaj. Ekipi i atletikës së Vllaznisë në atë periudhë drejtohej nga trajnerët e mirënjohur Brahim dhe Feti Dizdari.
Tek futbolli, karriera e Nikollës do te vazhdonte ne Gjirokaster ne vitet 1959- 1960 sepse e therrasin ushtar. Atje luajti me Luftëtarin në kategorinë e dytë, me pas kthehet ne Shkoder. Në vitin 1961 fillon të luaje me Vllazninë ku ishte krijuar një ekip shumë simpatik me Jonuz Telin, Zija Danin, Frederik Çapalikun, Sadetin Zmijanin, Hasan Hasën, Kolë Gjonin, Ramazan Rragamin, Shuajp Prezën, Bep Çefën, Osman Djepaxhinë, Selami Danin, Haki Krajën, Zija Hallunin etj.
Me Vllaznine, Nikoll Gjergji do te fitonte Kupën e Republikës ne vitin 1965, pas shumë e shumë vitesh dhe skuadra ishte vërtetë model. Duke nisur nga porta me Paulin Ndojën, për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Frederik Çapaliku, Sadetin Zmijani, një kapiten i vërtetë në fushë, për të vazhduar me Kol Gjonin dhe Menduh Dedjen. Në mesfushë për njëfarë periudhe ishte edhe Ali Mema e bashkë me Ramazan Rragamin dhe Sabah Bizin, përbënin mesfushën e kombëtares.
Pjesë e skuadrës ishin edhe Esat Rakiqi, Ismet Hoxha, Lekë Koçobashi, Bep Çefa, Rauf Çanga, Selman Cukali, Hajrullah Lekaj etj. Në sulm ndërkohë ishin tre sulmues shumë të shpejtë dhe rezultativë si Selami Dani, Nikoll Gjergji dhe Halil Puka. Nikolla ka luajtur gjithmonë në krahun e djathtë.
Por karriera e tij nuk do te zgjaste shume. Në ndeshjen e Kupës Ballkanike me ekipin rumun Farul Konstanca e luajtur në vitin 1968 dhe që u humb nga Vllaznia me rezultatin 2-0, ai u dëmtua rëndë. Në një përpjekje për të kapur topin në thellësi, portieri rumun bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj tij dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nga prapa më erdhi edhe një mbrojtës duke e shtyrë edhe më keq dhe këmba e Nikollës u thye keqazi. Qëndroi një vit larg futbollit. Ishte 27 nëpër 28 vjeç. Mendoi ta niste edhe njëherë sportin por vendosi të heqë dorë nga futbolli i luajtur.
Në vitin 1970 nisi në Tiranë kursin 6 mujor për trajner futbolli. Ka qenë Bahri Axhemi, drejtuesi i sportit në atë kohë në Shkodër që e thirri dhe i dha shtysën për të nisur këtë kurs. Një kurs ku ka mësuar shumë gjëra nga emrat e mëdhenj të trajnimit shqiptar si Loro Boriçi, Zyber Konçi, Skënder Dedja etj.
Pas mbarimit të këtij kursi, në vitet 1971-72 ka drejtuar Shpresat e Vllaznisë dhe më pas në vitet 1973-75 ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Pas kësaj periudhe eshte shkeputur nga trajnimi për njëfarë periudhe sepse mbaroi studimet për fiskulturë.
Megjithatë nuk hoqi dorë nga trajnimi sepse ka punuar për vite të tëra me moshat duket drejtuar ekipin e “Djelmënisë shkodrane”, me të cilin ka punuar deri në vitin 2014. Ka drejtuar per njefare kohe edhe ekipin e femrave te “Juban Danjes”, por deri ketu, sepse vitet kalonin dhe semundja filloi te bente te veten.
Megjithate karriera e Nikoll Gjergjit, cilesite dhe vetite e tij si nje njeri i shkelqyer, do te mbesin tashme gjate ne kujtesen e te gjitheve. I perjetshem qofte kujtimi yt profesor Nikolla! /Gjergj KOLA/