“Kan vra Aleks Selmanin, ishte bashkë me Antonin tu ec në Piacë…”, kështu më erdhi lajmi atë ditë në TV Rozafa ku kisha disa muaj që punoja. E ma vonë, disa herë, Anton Krosaj ka shpjegonte si kishte ndodh ngjarja shumë e randë. I kërkoja të më tregonte, sepse më dukej e pabesueshme, edhe sot më duket e pabesueshme.
“Ishim duke ec bashkë, ishim para kioskës që shet gazeta. Nigjume disa krisma. Institktivisht Aleksi theu gjunjtë. Unë nuk lëviza. Pashë që ai u këput në tokë…Fatkeqësi e madhe”, më tregonte Anton Krosaj, edhe ai sot i munguar fizikisht mes nesh por me shumë mundësi, në shoqërinë e Aleksit në parajsë.
Aleksin, aktorin e humorit por edhe më shumë se kaq, artistin, e kanë njohur shumë shqiptarë, brenda e jashtë Shqipërisë. Talenti i tij, ishte i spikatur, aktrimin dhe batutat e tij, fatmirësisht vazhdojmë ti shijojmë e të qeshim përmes videove që na ka lënë kujtim në media kombëtare e lokale.
Por me fat janë ata që kanë njohur Aleks Selmanin e taviolinës. Humori i tij, bënte që të harroheshe. Si gazetar, harroje të shkoje aty ku ishe nisur, të ngjiteshe në redaksi për të shkruar e montuar lajmin, si moderator, mund të hyje me vonesë në studion e emisionit që të priste i ftuari.
“Prit, se kam edhe nji tjetër, kjo asht e re, nuk besoj se e ke ndi…”, dhe nuk të bëhej të ikje pa marrë edhe disa batuta që ngjallnin të qeshura e të zgjasnin jetën, nuk kuptimin e plotë të fjalës. E natyrisht, e gjitha kjo për shokët e miqtë e Aleksit, zbukurohej nga bujaria e pakursyer që tregonte në tavolina.
Iku në kapërcyell të 40 viteve, shumë i ri, në pjesën më të mirë të jetës por edhe krijimtarisë dhe suksesit artistik. Tek i biri, Fritzi, i cili ndoqi dhe vazhdon rrugëtimin e Aleksit në art, ka mjaft nga i ati, nga natyra e tij. E kështu, si me magji, përmes interpretimit të djalit të tij, Aleksi nuk është vetëm në videot që akoma i shohim e qeshim, por e shohim edhe të aktrojë, të në bëjë të qeshim, të argëtohemi ose më saktë, të heqim mallin për një mik që mungon prej shumë e shumë vitesh. I mungon skenës, artit, Shkodrës e përtej… /Nga Blerti DELIJA/