Partitë politike në Shqipërinë e këtyre 30 viteve, janë instrumente kryesisht në funksion dhe në dorën e një lideri apo kryetari. Aksioma vlen për partitë e mëdha dhe të rëndësishme por edhe tek ato më to vogla, të identifikuara me një furgon elektorat. Tre dekadat e fundit kanë treguar se kryetarët mund të largohen vetë me një mënyrë nga drejtimi i partive politike: Dorëheqje!
Në vende të zhvilluara përendimore dhe jo vetëm, dorëheqja është institucion. Në Shqipëri, rastet e dorëheqjeve numërohen me gishtat e dorës, më saktë, me gishtat e një dore. Dorëheqja më e bujshme është ajo e Fatos Nanos ndërsa PS- ja e tij qeveriste vendin në harkun 1997- 2005. Iku nga kryeministër, nga kryetar i partisë që kryesonte dhe u rikthye përmes votës së antarësisë në kongresin e PS- së.
Shembulli i dytë i rëndësishëm vjen sërish nga Nano në 2005- ën. Edhe pse e mbajti partinë e tij dy mandate në pushtet, edhe pse e kishte të garantuar të qendronte në krye të saj, ai u largua duke qendruar thjesht deputet deri në 2009- ën, ndërsa nga ai vit është thjeshtë dhe vetëm ish- kryetari i PS- së.
Dukej e çuditshme, por të njëjtin standard vendosi edhe Sali Berisha. Mes lotëve të stafit të ngushtë dhe mbështetësve, Berisha u largua nga kryetar i PD- së pas humbjes së zgjedhjeve të 2013- ës. Mbajti dy mandate PD- në në qeverisje të vendit, mund të qendronte pafundësisht kryetar i PD-së, me të gjitha mënyrat e mundshme të votimit nga antarësia por zgjodhi dorëheqjen.
Ndryshe nga Nano, ndikimi i Berishës ishte i fortë edhe pas dorëheqjes. Për shkak se kryetari që e pasoi, Lulzim Basha, nuk ishte deputet në Kuvend por vetëm kryebashkiak i Tiranës, Berisha ishte “de facto” kryetari i opozitës në parlamentin shqiptar. Kjo mesa duket, ndikoi që edhe në zgjedhjet e 2017- ës, të merrte një mandat tjetër, edhe si lideri historik, që në një parti të djathtë ka peshë specifike të lartë.
Edhe në 2021- in, rikonfirmimi si deputet i Berishës, ishte i pakontestueshëm teksa kryetari i PD- së Basha deklaronte se sih- kryetari mund të zgjedhë vetë qarkun dhe pozicionin e listës ku dëshironte të ishte deputet. Dhe sot, Berisha është deputet në Kuvendin e Shqipërisë, por jashtë grupit të PD- së, edhe pse doli nga lista e saj.
Në politikën shqiptare, ndryshe nga ajo e vendeve të zhvilluara, akoma nuk ka një ekulibër në mes moralit dhe “rregullave të lojës” në një parti politike. Morali ka qenë vendimtar në shumë procese në shtete e parti të Europës e botës. Kryeministra, presidentë dhe kryetarë kanë dhënë dorëheqje në emër të moralit, edhe pse “rregullat e lojës” përcaktonin mundësi të tjera.
Edhe përballja e sotme në PD, në mes Bashës dhe Berishës, po kanalizohet në këtë ulli. Basha është i bindur, i fortë në qëndrimin e tij se po zbaton vetëm “rregullat e lojës”, parashikuar në Statutin e PD- së, “kushtetuta” e demokratëve. Rreshtat e mkëtij dokumenti, i japin atij shumë kompetenca dhe pushtet që mesa duket burojnë nga “demokracia e drejtëpërdrejtë”, i rikonfirmuar për herë të tretë radhazi kryetar i PD- së me parimin “një antar, një votë”.
Përtej artikulimeve në “Foltore”, Berisha duket se e ka impostuar më shumë “betejën” e tij tek pjesa morale. Natyrisht, ai këmbëngul se Basha ka shkelur statutin, duke e përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD- së. Por nga ana tjetër, nuk është se përqendrohet shumë tek nenet e statutit, teksa kujton tre humbje radhazi të Bashës në po kaq zgjedhje, gabimet gjatë drejtimit të PD- së etj.
Siç e kemi paralajmëruar, me shumë gjasa kjo përballje do të përfundojë në dyert e gjykatave shqiptare dhe fati i PD- së nuk do të përcaktohet aq shumë nga vullneti i antarëve të PD- së sa nga humori, orientimi apo bindja e një gjyqtari të shkallës së parë apo apelit. Kjo, për një arsye të thjeshtë që e cituam që në rreshtat e parë. Në PD, siç edhe në të gjitha partitë e tjera, nuk është vendosur një ekulibër në mes moralit dhe “rregullave të lojës”. Madje, morali edhe në statutet e partive, nuk është aspak i pranishëm. Ndoshta nga PD-ja, pas përmbylljes së kësaj situate të pazakontë, në të gjitha partitë të nisë një proces për të përcaktuar moralin si prioritar edhe në librin e “rregullave të lojës”, statuteve të partive politike shqiptare.
Dorëheqja, sipas disa rregullave të mirëpërcaktuara, duhet të kthehet në institucion! I shenjtë madje! Është momenti që të zbehet roli i një individi, cilitdo individ, brenda një partie politike. Ne shqiptarët e dimë më mirë se askush se çfarë ndodh kur ndërtohet “kulti i individit”. Kush më pak e kush më shumë, e kami provuar në kurriz. edhe këto 30 vite… /Nga Blerti DELIJA/