Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje nga ekzekutimi i ish policit Xhelal Reçi në Laç, mëngjesin e sotëm (1 nëntor). Hoxha thotë se pranë viktimës ishte gruaja, e cila po ndizte dritat.
Ndërkaq, sipas saj dy djemtë e viktimës dyshohet se kanë pasur problem me persona të njohur në zonë dhe kjo është pista kryesore ku po heton policia. Sipas gazetares dyshohet se në krim kanë marrë pjesë tre persona, por vetëm njëri ka qëlluar me armë.
“Kjo është vrasja e 55-të që prej 1 janarit. Mes vrasjeve të mirëorganizuara dhe kryesisht për motive droge, është vrasja e 15-të e pazbardhur, e Xhelal Reçit që ka qenë efektiv i policisë rrugore.
Prokuroria dhe policia lokale e përjashtoi mundësinë e një vrasje me detyrën që ka ushtruar. Siç thuhet, automjeti i vrasësve dyshohet se është vjedhur në fshatin Mbrostar të Fierit me targa greke. Një muaj më parë është denoncuar si i vjedhur. Vazhdon e njëjta skemë, vidhet automjeti dhe targa. Shpresa e grupit të hetimit është një kamerë sigurie mes bankës dhe objektit ku viktima ishte pranë biznesit të tij dhe bashkëshortja ishte ngjitur që të ndizte dritat, kanë pasur dijeni të rutinës së përditshme të Xhelal Reçit. Rutina ishte qartazi e dukshme për vrasësit, kanë qenë shumë të informuar.
Fëmijët e tij ka dyshime se kanë pasur problematike, konflikte. Mendohet se mund të ketë lidhje me mosmarrëveshjet e dy djemve me persona të tjerë. Një nga djemtë dyshohet se ka pasur një konflikt me B.M dhe E.M. Ky shtetas denoncoi një vit më parë se pati tentativë për tu vrarë. Nga ana tjetër, ka edhe një konflikt me një shtetas tjetër me inicialet Y.Ibrahimi por këto janë pista paraprake. Njëri ka qëlluar me pistoletë, tjetri nuk ka qëlluar. Dyshohet se gjithsej kanë qenë 3 persona”, tha Anila Hoxha në emisionin “Open”.
Gazetarja Anila Hoxha ka deklaruar gjithashtu se Besnik Reçi, djali i viktimës, shoqërohet me një person të dënuar me burg përjetë por i liruar nga Gjykata e Krujës.
“Besnik Reçi shoqërohet me një person që ishte i dënuar me burgim të përjetshëm, por u lirua nga Gjykata e Krujës. Pra ata shoqëroheshin me grupe kriminale, që do të thotë se kjo vrasje ka të bëjë me përplasjet mes grupeve. Ndoshta ata nuk kanë mundur të godasin djemtë dhe çfarë kanë bërë? I kanë goditur aty ku dhemb më shumë, te prindërit”, tha ajo.