Ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese, për shqyrtimin e çështjes së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Avokati Jordan Daci, i cili është përfaqësuesi i Shoqatës së Bashkive i ka qëndruar të njëjtave pretendimeve që ka ngritur më herët. Shoqata kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe përsëritjen e tyre.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me zgjedhjet, në të cilat opozita nuk mori pjesë.
Çështja për zgjedhjet e 30 qershorit ishte pezulluar në pritje të përgjigjes nga Komisioni Venecias. Shoqata e Bashkive i është drejtuar me një padi gjykatës Kushtetuese përmes së cilës kërkon ripërsëritjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në përcaktimin e seancës që rikthen çështjen për shqyrtim, Kushtetuesja argumenton se është konstatuar se ka rënë shkaku i pezulit të procesit, kjo për faktin se Komisioni i Venecias iu përgjigj pyetjeve të gjykatës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ diskutimet që po mbahen aktualisht në seancë. Gjatë fjalës së saj kryetarja e kësaj gjykate, Vitore Tusha tha se është kompetencë e Kushtetueses të gjykojë 30 qershorin.
DISKUTIMET NË SEANCË
Vitore Tusha: Gjykata Kushtetuese, ka konstatuar rënien e shkakut të pezullimit dhe vendosi zhvillimin e seancës. Në këtë moment proceduarial të gjithë palët kanë marrë kopjen e Opinionit të Venecias. Në vijim të procesit ku parashtrojmë që keni të drejtë, të jepni deri në 10 minuta, opinion mbi Opinionin e Venecias. Gjykojmë që Komisioni nuk e ka të saktë, se nuk ka kompetencë për të gjykuar 30 qershorin. Nëse nuk e ka Gjykata Kushtetuese, kush e ka? Si mund të shkohet në Strasburg nëse çështja nuk kalon në Kushtetuese?!
Jordan Daci: Bindja Demokratike hyri në zgjedhje fiktivisht. U regjistrua në KQZ pa u regjistruar në gjykatë si subjekt juridik. Ky opinion nuk është detyrues për Gjykatën Kushtetuese në tërësi. Opinioni ka pasur dhe kontradikta. Komisioni i Venecias ka më tepër opinion politik se përgjigje juridike për pyetjet e dërguara. Referuar ligjit, Gjykata Kushtetuese duhet ta gjykoj çështjen. “Kushtetuesja’ duhet ta injorojë këtë opinion të Komisionit të Venecias.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Kuvendit Mimoza Arbi ka mbështetur opinionin e Komisionit të Venecias. Arbi kërkon rrëzimin e kërkesës.
PADIA E SHOQATËS SË BASHKIVE TË SHQIPËRISË
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.