Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të babait të tij, Xhelal Basha dy ditë më parë.
Me anë të një postimi në Facebook, kryedemokrati shkruan se vdekja e babait të tij ishte një humbje e madhe për familjen, ndërsa thekson se ai u largua në paqe dhe i rrethuar nga dashuria.
Basha falënderon të gjithë miqtë që iu gjendën pranë, por edhe mjekët që u përkushtuan në shëndetin e tij.
“Sot i dhamë lamtumirën babait tim Xhelalit i cili u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, duke na hidhëruar dhe ligështuar mamanë time Remzijen, mua dhe vëllain tim Erlindin, Aurelën, vajzat, familjarët dhe miqtë e shumtë të tij dhe familjes. Ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur.
Në këto momente dhimbje të rëndë për familjen tonë, falenderojmë me mirënjohjen më të thellë të gjithë miqtë dhe dashamirët që na u gjendën dhe na lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre.
Falenderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor për përkujdesjen e tyre të dhembshur për babain gjatë gjithë kësaj periudhe.
Për familjen tonë kjo është një humbje e madhe. Por po kaq i madh është ngushëllimi që Zoti e mori me qetësinë dhe dinjitetin që i fali në çdo çast të jetës së tij, si dhe lutjet tona që shpirti ti prehet në paqe”, shkruan Lulzim Basha.