Në prag të ndeshjes me Egnatian, trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç, është treguar mjaft i kujdesshëm në deklarata. Në daljen e zakonshme para gazetarëve, timonieri kuqeblu ka thënë se në çdo ndeshje tentohet të arrihet rezultati më i mirë i mundshëm. Ai ka thënë se Vllaznia ka vetëm një mungesë në prag të përballjes, pas punës së mirë të bërë nga stafi mjekësor.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Brdariç ka vënë theksin në nevojën e shmangies së gabimeve nga ekipi i tij, sidomos në fazën mbrojtëse. I pyetur për nisjen e shkëputjes në Superligë nga Tirana, trajneri i Vllaznisë ka thënë se ai është i perqendruar në ndeshjet e ekipit të tij, duke shtuar se duhet të marrim pikët tona për të shkurtuar distancën.
Brdariç ka qenë i qartë teksa ka pranuar se askush që e mbështet Vllazninë, nuk është i kënaqur me pozicionin ku ndodhet aktualisht ekipi kuqeblu. Ditën e nesërme, Vllaznia ka një ndeshje mjaft të rëndësishme, ku kërkohen pikë, mundësisht 3. Kjo për shumë arsye, por më shumë për të larguar shijen e dy humbjeve me Kukësin dhe me Tiranën.