Vllaznia ka marrë një pikë në tre ndeshjet e fundit në kampionat dhe për të mos mjaftuar kjo, në kampin shkodran duhet të zgjidhin një tjetër çështje të rëndësishme.
Reagimi i Liridon Latifit pas zëvendësimit në ndeshjen e djeshme kundër Egnatias ishte i ashpër dhe nga ana tjetër edhe trajneri Thomas Brdaric u nervozua në stol nga veprimi i sulmuesit.
Në ato momente nuk pati më përplasje, por tani vjen pjesa më e vështirë. A do mundet trajneri të marrë masa ndaj lojtarit më të paguar në skuadër?
Nëse po, do ketë një krisje të fortë, nëse “jo” atëherë nuk do ishte çudi që edhe të tjerë lojtarë të reagojnë njëlloj në të ardhmen. Brdaric dhe drejtuesit e klubit duhet të gjejnë një zgjidhje direkte.
Latifi edhe në të shkuarën ka pasur probleme, konkretisht me trajnerin e Akademia Puskas pasi u transferua nga Skënderbeu te klubi hungarez.
“E pashpjegueshme se si një zotëri vjen nga jashtë, ne i kërkojmë të luajë përpara dhe ai luan aty. Ai bën shumë gabime, kaq shumë nuk mund të bëhen.
“Unë kam luajtur gjithmonë me futbollistët që kanë bërë gjithçka për skuadrën dhe klubin. Nuk do ta ndryshoj këtë: ose ai, ose unë, njëri do të largohet”, shprehej në maj të vitit 2018 trajneri i Akademia Puskas, Attila Pinter. /oversport/