Kryetari i LSDM-së dhe kryeministri, Zoran Zaev ka vendosur që të shtyjë dorëheqjen e tij deri në stabilizimin e vendit. Kjo do të thotë se do të bëhet votëbesimi ndaj qeverisë.
Një nga argumentet për shtyrjen e dorëheqjes është mundësia që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në në dhjetor. Sipas LSDM-së kjo shtyrje është bërë për shkak të situatës në të cilën gjendet vendi dhe proceset euro-integruese. LSDM theksoi se Zaev e ka dorëzuar dorëheqjen, por organet e partisë nuk e kanë pranuar.
LSDM pësoi një disfatë në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ç’ka bëri që Zoran Zaev të paralajmëronte dorëheqjen nga posti i kryeministrit, si edhe nga drejtimi i LSDM-së. Kjo parti humbi Shkupin dhe mbi gjysmën e 80 komunave të vendit. Por, Zaev nuk zbatoi ultimatumin e vendosur nga opozita, e cila i kishte dhënë atij kohë që të dorëzonte dorëheqjen në Kuvend brenda ditës së djeshme deri në orën 14:30.
Ndërkohë, dje kryeministri Zoran Zaev ka reaguar për herë të parë që nga paralajmërimi i dorëheqjes, pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendore. Ai ka thënë se për një dëshirë të kotë për pushtet, opozita ishte gati ta çonte vendin në greminë. Zaev paralajmëroi se nuk do të lejojë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të kapin dhe shkatërrojnë përsëri vendin.