Ish- kryepolici emërohet zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës! Duket sikur në këtë vend janë shue inxhinierët, mjeshtrat e konstruksioneve, menaxherët e industrive civile dhe duhet një polic me vendos rendin ndër blerjet dhe shitjet e energjisë, fluturimet ajrore, si dhe kontrollin e kuotave të tenderimeve në infrastrukturë.
Në fakt, ky emërim s’ ka të bëjë me asnjërën prej këtyre nevojave të shtetit dhe qeverisë.
Ka të bëjë me mendjelehtësinë qeverisëse dhe sistemin e shpërblimeve ndaj ish- funksionarëve të institucioneve të pavarura, të cilët spikatën me paaftësinë për të imponuar respektimin e ligjit ndaj pushtetarëve, vartësve të tyre që lejuan kalimin e milionave eurove para publike, drejt firmave fantazme.
Sot e kësaj dite organet ligjzbatuese nuk i kanë kapur, as pronarët e vertetë të firmave që fituan lotet e anulluara, dhe as prestanomet e tyre që morën përsipër risqet, ndërsa i ngarkuari me punë për t’i kapur vendoset në krye të institucioneve vëzhguese nga ku dolën ato para. Ky është një emërim në konflikt të hapur interesi, që nuk mund të kapërcehet lehtë.
Zoti Edi Rama kjo nuk është një veprimtari e përgjegjëshme, aq më pak nuk është një indikator që ju keni reflektuar në sjelljet dhe vendimarrjet tuaja në dobi të qytetarëve, në nderim të shtetit dhe qeverisjes së paster, efikase.
Ndër të tjera, vendimmarrja juaj në këtë rast është një fyrje dhe injorim për qindra specialistë të rinj dhe me përvojë, me kokën plot, që kontribuojnë çdo ditë në sektorët e ndërtimit dhe energjitikës, për fëmijët e Shqipërisë të shkolluar jashtë.
Pas 31 vitesh kur revoltoheshit me të drejtë kundër Ramiz Alisë, ju po rrotulloheni sot keqas rreth e qark vetes dhe oborrit të njerëzve që ju shërbyen verbërisht në këto vite, duke përfituar nga mungesa e oponencës dhe kompromentimi i konkurrentëve.
Mirëpo, mungesa e kontrolleve parlamentare dhe ligjzbatuese për orekset tuaja në lidhje me emërimet dhe sjelljet, nuk do të thotë që respublica të lejohet me u dhunue.
Jemi në rastin tipik të dekadencës, jo vetëm të parimeve mbi të cilat ngritet flamurin në dhjetor 1990, por edhe të formacionit të individit bartës, i cili ditën që kap majën, përsërit të papërgjegjshmit dhe dritëshkurtërit e dikurshëm.
Kufiri është kapërcyer dhe është e mira, që të rivlerësoni këtë rast, ashtu sikurse çdo emërim ku shteti ka nevojë për specialistë të mirëfilltë, posaçërisht në arsim, shendetësi, diplomaci, bujqësi dhe rend publik. /Publikuar në Facebook nga Romeo GURAKUQI, ish- deputet i PD Shkodër/