Është gjetur një mjet i djegur në zonën e Thumanës. Dyshohet se ajo i përket autorëve të atentatit në Astir të Tiranës. Policia dhe zjarrfikëset janë nisur drejt vendngjarjes.
Rreth orës 19.30 të mbrëmjes së sotme, Tirana është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Janë derdhur breshëri armësh ndaj një makine tip “Audi” të bardhë, ku mbetën të vdekur drejtuesi dhe pasagjeri. Drejt vendngjarjes, në zonën e Astirit janë nisur disa autoambulanca. Ndërkohë makina tip “Audi” mbi të cilën janë derdhur plumbat mbante targën AB008EM.
Ndërkohë, edhe policia është në vendngjarje për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Paraprakisht, njëra prej viktimave është identifikuar si Erigers Mihasi, rreth 32 vjeç. Me pas edhe personi i dytë është identifikuar si Armando Dumani, 26 vjeç.
Ky i fundit, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai është arrestuar më parë pasi dyshohet se është autori i dyshuar i një sërë vjedhjesh me armë në filiale bankash në qytetin e Vlorës.
Erigers Mihasi, është një personazh i njohur i botës së krimit i liruar në muajin korrik 2019 nga Prokuroria e Gjirokastrës për mungesë provash në ngjarjen e dhunimit dhe grabitjen e prindërve të Elton Çiços.