Me shumë vonesë dhe në mes polemikave, nesër nis një proces i rëndësishëm për RTSH- Rediotelevizionin Shqiptar, transmetuesi publik i Shqipërisë. Mësohet se para Këshillit Drejtues të RTSH- së do të dalin 4 kandidaturat që konkurrojnë për drejtor i përgjithshëm, për të pasuar Thoma Gëllçin i cili aktualisht është në burg.
Emrat e përzgjedhur, janë emra të rëndësishëm, me aktivitet të dukshëm në media, në pozicione të ndryshme si gazetar, drejtues apo edhe pedagogë të gazetarisë. Emrat e përzgjedhur. që do të dëgjohen nesër nga Këshilli Drejtues i RTSH- së janë:
1.Enkelejd Joti
2.Laureta Roshi
3.Mimoza Haxhiaj
4.Iris Luarasi
Joti ka qenë për shumë vite pjesë e TCH, duke mbajtur edhe postin e drejtorit të përgjithshëm. Pas marrjes në zotërim të aksioneve nga Vjollca Hoxha dhe fëmijët e të ndjerit Dritan Hoxha, Joti u largua për të vijuar punën si drejtor i QSUT- së. Ai përflitet si kandidaturë favorite dhe madje, konsiderohet pasuesi i përzgjedhur tashmë, i Thoma Gëllçit. Kjo, për shkak të eksperiencës së përshtatshme por edhe raporteve të duhura.
Laureta Roshi është një emër i njohur i gazetaris, me një karrierë 30 vjeçare. Po ashtu, ajo ka qenë punonjëse e institucionit të Avokatit të Popullit. Vetë Roshi shprehet se “guxoj dhe pretendoj larg stigmës se emrat përcaktohen më parë”.
Mimoza Haxhiaj është aktualisht punonjëse e TVSH- së, me një eksperiencë 20 vjeçare në gazetari dhe në RTSH nga 2003- i. Momentalisht, Haxhiaj është kryeredaktore e Lajmeve në këtë institucion.
Kandidatura e katërt është Iris Luarasi, pedagoge e gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Po ashtu, në fushën e medias Luarasi ka patur disa publikime dhe studime. Luarasi është e njohur edhe si analiste apo opinioniste në shumë emisione në mediat audivizive.
Në këtë procedurë të nisur, mund të vihet në diskutim vetëm legjitimiteti i antarëve të Këshillit Drejtues të RTSH- së. Disave u ka përfunduar mandati, të tjerët janë zgjedhur në këtë organizëm pluralist si përfaqësues të opozitës, por të votuar vetëm me votat e “opozitës së re” të Kuvendit të kaluar. /ShkodraWeb/