Dy humbjet radhazi ndaj Kukësit dhe Tiranës, por edhe barazimi i fundit ndaj Egnatias, duket se nuk kanë ndryshuar shumë gjëra në kampin shkodran. Së fundmi, stafi drejtues i klubit, stafi teknik dhe lojtarët kanë analizuar së bashku barazimin ndaj Egnatias. Kjo analizë, në të cilën për herë të parë gjatë këtij sezoni merrte pjesë edhe presidenti i klubit, Alban Xhaferi, mësohet se është ndarë në dy pjesë.
Fillimisht është zhvilluar analiza teknike, që ka pasur lidhje direkt me ndeshjen dhe atë që nuk ka shkuar në stadiumin e Rrogozhinës. Ndërsa më pas është diskutuar nëse ka problematika që kanë të bëjnë me aspektin psikologjik të lojtarëve dhe atë ku duhet ndryshuar.
Presidenti Xhaferi në fjalën para ekipit është ndalur konkretisht tek ajo që po ndikon te paraqitja në fushë, duke kërkuar edhe nëse ka shkaqe të ndryshme që skuadra nuk po merr rezultatet e duhura. Burime pranë ekipit tregojnë se nuk ka pasur asnjë problem jashtë fushës, pasi edhe çështja e rrogave është zgjidhur.
BISEDA – Nga ana tjetër, stafi teknik është ndalur gjatë me futbollistët për të nxjerrë shkaqet e gjendjes jo të mirë të tyre. Trajneri Tomas Brdariç ka kërkuar në një moment të mbledhjes nga lojtarët që të japin mendimin e tyre për këtë situatë dhe kryesisht për ndeshjen ndaj Egnatias.
Pavarësisht ndonjë momenti ku ka pasur ndonjë ngritje zëri, sërish tonet e gjermanit kanë qenë ato të zakonshme nga ana e tij, ku për çdo lojtar, me mënyrën e tij, ka treguar se çfarë duhet që të kishte bërë më mirë gjatë këtij takimi.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se mundësitë janë për të bërë shumë më mirë në takimet e ardhshme. Duhet të korrigjohemi në të dyja fazat e lojës dhe secili prej jush të bëjë atë që ne kërkojmë”, mësohet të kenë qenë fjalët me të cilat tekniku ka kërkuar vazhdimësinë. Vetë lojtarët kanë dhënë garancinë se kthesa do të vijë shumë shpejt.
Disa prej tyre që kanë marrë fjalën gjatë kësaj analize, si Gurishta, Krymi, Adili etj, kanë thënë se mundësitë për reflektim janë të mëdha.
Lojtarët janë shprehur optimistë se kanë forca për të kapërcyer këtë moment, duke filluar nga ndeshja e radhës për kampionat ndaj Kastriotit edhe pse më parë do të luhet me Pogradecin takimi i kthimit në Kupë.
KALENDARI – Vllaznia do të kërkojë të shfrytëzojë në maksimum kalendarin, pasi katër nga pesë përballjet e radhës në kampionat i ka në fushën e vet.
Kjo pa dyshim që është një plus i madh, sepse duke luajtur në shtëpi dhe me ndihmën e tifozëve, mund të vijnë edhe rezultatet pozitive radhazi.
Në fund të analizës, të gjithë janë shprehur të bindur se mundësitë e kësaj Vllaznie janë shumë më të mëdha nga sa është dhënë deri tani. Thjesht duhet një moment për të filluar ngjitjen në tabelë, duke marrë pa diskutim një seri fitoresh.