Bashkia Malësi e Madhe prej shumë ditësh kishte njoftuar zhvillimin e një dëgjese publike për planifikimin e buxhetit si dhe për paketën fiskale 2022. Përveç se një detyrim ligjor, çdo banor i pranishëm do të kishte mundësinë për të dhënë opinionin e tij për dokumentin më të rëndësishëm që miraton Këshilli Bashkiak pas hartimit nga administrata bashkiake.
Siç shihet edhe nga fotot më poshtë, interesimi i banorëve ka qenë mjaft i ulët. Kjo konstatohet nga karriget bosh në sallën e mbledhjes, në palestrën “Abdyl Bajraktari” në Koplik.
Megjithatë, të pranishmit kanë dhënë mendimet e sugjerimet e tyre, ndërsa drejtues e përfaqësues nga Drejtoria e Buxhetit dhe e Finances dhe nga Drejtoria e të Ardhurave, kanë dhënë shpjegimet e duhura. Po ashtu, të gjitha propozimet e mundshme do të trajtohen edhe nga specialistët përkatës të Bashkisë Shkodër.
Demokracia është pjesëmarrje, bashkëbisedim, sugjerime dhe propozime konkrete. Mungesa e interesit nga banorët e Malësisë së Madhe, është e pakuptimtë teksa bëhet fjalë për investime e sherbime që ndikojnë direkt në jetën e secilit. Ata që sot nuk shfrytëzuan hapësirën që iu dha, nuk kanë shumë të drejtë as të kërkojnë llogari.