Ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajë sot në orën 19:00 një konferencë për mediat. Lëvizja e Sali Berishës vjen pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ku kryedemokrati Lulzim Basha tha se nuk do të ketë Kuvend më 11 dhjetor, duke u shprehur se Kuvendi i PD-së do të mbahet më 18 dhjetor.
Në fjalën e mbajtur sot Basha vuri në dukje se “nuk ka një Kuvend të PD në 11 dhjetor”, por një thirrje për t’i kundërvënë SHBA-ve një pjesë të vogël të PD për interesa personale, që do të sillnin izolimin e PD nga SHBA.
Kryetari i PD i propozoi Kryesisë një rend dite me tre pika për Kuvendin Kombëtar të 18 Dhjetorit, të thirrur prej tij.
Së fundmi Sali Berisha i dorëzoi kreut të Këshillit Kombëtar Edi Paloka 4200 firmat e delegatëve të PD-së, me qëllim mbledhjen e Kuvendit më 11 dhjetor.
Më herët Basha dhe përfaqësues të tjerë të PD-së kanë deklaruar se Sali Berisha po luan një blof të madh me demokratët, duke theksuar se fakti që nuk po i dorëzon firmat në bazë të procedurës, tregon që ai nuk ia ka mbledhur 1/4 e firmave.